Rikthimi i kryeveprës së Stanley Kubrick – që hapi edhe edicionin e sivjetmë të “DokuFestit” – ka inkurajuar reflektimin se prej nga vijmë dhe ku jemi duke shkuar.
Në pranverën e vitit 1964, regjisori Stanley Kubrick ishte tepër i shqetësuar. NASA ishte gati për ta nisur anijen hapësinore “Mariner 4” përtej Marsit.
Në atë kohë ai ishte thelluar në krijimin e një filmi të suksesshëm rreth zbulimit të inteligjencës aliene. Fjala ishte se MGM e kishte vënë në bast studion e tyre për filmin. Po sikur “Mariner” të zbulonte jetën në Mars dhe t’i merrte ato?
Kubrick u interesua nëse mund të siguronte mbrojtje kundër asaj ngjarjeje. Bazuar në një libër, i cili flet për krijimin e këtij filmi, “Space Odyssey, Stanley Kubrick, Arthur C. Clarke, dhe krijimi i një kryevepre” nga Michael Benson (Simon & Schuster 2018), ai mundi të siguronte mbrojtje, por çmimi ishte astronomik, kështu që Kubrick vendosi t’i shfrytëzonte shanset e veta.
Kjo ndodhi para 59 vjetësh. Ne ende nuk kemi zbuluar ndonjë inteligjencë apo prova të besueshme jetese askund tjetër në univers – jo për mungesë përpjekjeje. Një anije kozmike, “TESS”, e projektuar për të kërkuar planetë të banueshëm në afërsi, vetëm sa është lëshuar në hapësirë, ndërsa një asteroid ndëryjor është zbuluar duke kapërcyer nëpër sistemin diellor për të kërkuar sinjale. Një robot tjetër veçse ka marrë rrugën për të bërë kërkime në zemër të Marsit. Ne ende nuk e dimë nëse jemi vetëm.
Vonë dhe me buxhet të lartë, në prill të vitit 1968 filmi i Kubrickut, “2001, A Space Odyssey”, më në fund debutoi, për kritikët e hutuar të filmit dhe radhët e gjata të të rinjve. John Lennon kishte thënë se për çdo javë shkonte ta shihte filmin. Ishte filmi me fitimet më të mëdha të vitit dhe tani është një film i përjetshëm në listat e regjisorëve për filmin më të rëndësishëm të të gjitha kohërave. Shpesh ai është filmi i parë që shkencëtaret përmendin kur pyeten për filmin që ata kanë shijuar më së shumti nga zhanri i fanta-shkencës.
Në përvjetorin e 50-të, më 2018, ai u rikthye në Festivalin e Filmit në Cannes dhe më pas në qytete të ndryshme anembanë botës, në një version të ri shkëlqyes, të mbikëqyrur nga Christopher Nolan, regjisori i “Dunkirk”, “Inception” e të tjerë. Për “The Los Angeles Times” ai ka thënë se filmi origjinal kishte qenë një “gur i çmuar” që nga fëmijëria e tij.
Filmi me skenar të Kubrickut dhe Arthur C. Clarke (në librat dhe tregimet e të cilëve u bazua filmi) dhe nën regji të Kubrickut, është një ode shumëshqisore për misterin kozmik, fatin dhe të ardhmen. Shtrirjet e zgjatura ndodhin pa asnjë shpjegim apo veprim, përveç vallëzimeve me gravitet zero të anijeve kozmike, të imagjinuara në mënyrë të përsosur.
Filmi pati thyer shumë nga konventat e kohës, si për shembull përdorimin e muzikës për të shpërfaqur atë se çfarë ndieni dhe mendoni. “2001…” ju lë vetëm me mendimet tuaja në hapësirë.
Historia fillon katër milionë vjet më parë në Afrikë, ku një tufë majmunësh të rrëmbyer po humbnin betejën për mbijetesën e më të fortit derisa shfaqet një monolit i zi i çuditshëm. Nën bubullimën e muzikës orkestrale “Kështu fliste Zarathustra”, njëri nga majmunët frymëzohet të marrë një kockë dhe ta përdorë atë si shkop për të vrarë kafshët që vazhdonin të përbënin kërcënim për ta.
Papritur, majmunët nisin të hanë mish dhe t’i ndjekin rivalët e tyre nga gropa e ujit. Në një moment ngazëllimi, njëri nga majmunët hedh kockën në qiell ku, në atë që është quajtur shpejtësia më e gjatë në historinë e filmit, kocka kthehet në anije kozmike.
Është kjo lëvizje rreth së cilës Kubrick mbështjell tërë filmin e tij dhe evolucionin njerëzor. Një tjetër monolit shfaqet në hënë e një tjetër në orbitën përreth Jupiterit, ku një astronaut i quajtur Dave Bowman lidhet me të, pasi nënshtron një kompjuter neurotik, “HAL 9000”, i cili ka vrarë shokët e tij të anijes. Në fund, përmes një “porte yjore”, Bowman dërgohet në një udhëtim nëpër hapësirë dhe kohë, vdekje dhe rilindje, duke u rikthyer si fëmijë i rënë nga qielli për të notuar si fetus mbi tokë.
Për herë të parë filmin e pashë në pranverën e vitit 1968. Hera e fundit që e pashë filmin (në televizionin tim të vogël të shtëpisë), ishte në vitin 2000, në prag të vitit për të cilin bën fjalë filmi.
Nuk e kisha ditur se sa shumë më kishte munguar derisa lexova librin e Bensonit, një zhytje e thellë, informuese dhe argëtuese në realizimin e filmit.
Njëri zbulim lidhej me atë se sa rastësisht kishte nisur realizimi i filmit. Pa marrë parasysh efektet speciale dhe modelin e anijeve kozmike, Kubrick dhe Clarke e krijuan pjesën më të madhe të historisë teksa ishin duke e bërë filmin. Benson ka thënë se deri në fund ishin përpjekur ta portretizonin alienin përgjegjës për monolitet, derisa e kuptuan se nuk mund të bëhej. Ne nuk e dimë se çfarë ka atje. Do të ishte mendjemadhësi të përpiqeshe ta imagjinosh.
Kjo nuk është një kritikë për librin. Benson është një mik i imi dhe gjithsesi unë jam injorant i paturpshëm i historisë së kinemasë. Por është një përmbledhje e qëndrimeve dhe takimeve të mia të ndryshme që kam pasur me filmin ndër vite.
Një arsye tjetër që filmin e kthen në kryevepër është fakti se ai ka përherë diçka të re për të na thënë. Ashtu sikurse monoliti, duket se filmi na jep atë që na nevojitet.
Pesëdhjetë e pesë vjet më parë ishte paralajmërues i së ardhmes. Ne ishim gati të fitonim garën me rusët se kush shkonte më parë në Hënë. Një gjeneratë e tërë u nxit dhe u përgatit për t’u marrë me të e për të kapërcyer të gjithë vazhdimësinë, siç e njihnim ne, të zymtë hapësinoro-kohore.
Të studiuara plotësisht nga Kubrick dhe Clarke, pjesë të mëdha të filmit i ngjanin një dokumentari të së ardhmes: stacioni hapësinor, baza e Hënës, hapi madhështor nga jashtë ashtu siç kishte profetizuar Clarke dhe njerëz si Wernher von Braun.
“2001…” rikthehet në një pikë prekëse të historisë, veçanërisht pasi lidhet me hapësirën dhe kozmosin. Pasi arritëm në Hënë, skenari i historisë të së ardhshmes u braktis nga “Shtëpia e Bardhë Nixon”.
Tashmë kanë kaluar vjet prej kur njeriu nuk ka qenë në Hënë. Është e mundshme të imagjinohet një kohë kur njerëzit që kanë qenë atje, nuk do të jenë më gjallë.
Por tani skenari tradicional fantastiko-shkencor është kthyer. Një brez miliarderësh kanë zënë vend në biznesin e hapësirës, si dhe një klasë e re klientësh të pasur që mund t’i përballojnë shërbimet. Në vend të “Fëmijës qiellor” këto ditë kemi “Njeriun qiellor”, të lëshuar në orbitë drejt Marsit, në një “Tesla” të kontrolluar nga Elon Musk.
Një herë shkrova se nuk prisja që gjatë jetës sime të gjenden gjurmë në Mars. Tani nuk jam aq i sigurt. Nuk është çmenduri të mendosh se veshjet private si “SpaceX”, të cilat duket se po qarkullojnë rreth NASA-s dhe Kongresit, mund ta mposhtin NASA-n në hapësirat më të thellë. Me kënaqësi, dikur në vitet 2030, kur të kem dalë në pension, do të kthehesha për të shkruar fjalët se njerëzit kanë zbritur dhe janë duke ecur në Mars.

Jo që NASA ka plane të besueshme apo para të mjaftueshme për të udhëtuar në ndonjë vend emocionues së shpejti. Nën administratorin e saj të ri Jim Bridenstine, një ish-kongresmeni, NASA po ndërmerr hapa për të ecur përpara në një program afatgjatë të eksplorimit dhe studimit të burimeve që do të çonin në krijimin e një baze të përhershme atje.
Udhëheqësit dhe entuziastët e hapësirës u mblodhën më 2018 në Washington DC për Samitin e njerëzve për në Mars, të përkrahur nga industria e hapësirës ajrore. Gjatë takimit u bë publikimi i një raporti që përshkruan se si njerëzit mund të qëndrojnë në Mars më së hershmi prej vitit 2033.
Skenari është kthyer te historia e ardhshme e evolucionit.
Robotët kanë marrë përsipër detyrën e shenjtë të eksplorimit për ne. Makinat gjithnjë e më të sofistikuara e më të vogla janë përhapur në çdo pjesë të sistemit diellor, duke zhurmuar guximshëm unazat e Saturnit, zbrazëtirat e errëta përtej Plutonit, duke u ulur në kometa, duke skanuar qiejt për planetë të rinj e vende të reja për të ëndërruar. Ka pasur mjaft robotë, zbarkues dhe orbitarë që shkelin qiejt dhe sipërfaqen e Marsit për të krijuar legjenda, mite dhe trillime lidhur me secilëndo formë të jetës që mund të gjendet atje.

Brezi i ardhshëm që do ta zgjerojë tele-prezencën tonë në të gjithë universin do të jetë edhe më i vogël e më i zgjuar. Janë përgatitur plane për të dërguar flota anijesh kozmike me madhësinë e çipave të iPhone-it drejt “Alpha Centaurit”, si re fluturash nëpër hapësirën ndëryjore. Edhe nëse trupat tanë nuk do të kalojnë ndonjëherë zbrazëtirat midis yjeve, ADN-ja jonë me siguri do të kalojë, në një kaskadë mikroskopike të pushtuesve hapësinorë që ende munden ta kolonizojnë galaktikën.
Ne të gjithë e mbajmë HAL-in në xhepa tani, dhe pas disa vjetësh ai do të jetë në gjakun tonë. E ardhmja, e masës në të cilën bëjnë pjesë njerëzit, është bionike.
Kompjuterët, për kënaqësinë e shteteve dhe dëshpërimin e liridashësve civilë, tani mund t’i njohin fytyrat. Rrjetet nervore si “Deep Mind” mund të ëndërrojnë gjithçka që ne dimë.
Më keq, ne të gjithë mund të jemi pjesë e ëndrrës. Lajmi i dhënë nga fizikanë, siç është i ndjeri Stephen Hawking, thotë se universi mund të jetë një hologram, një iluzion si imazhet tredimensionale në kartën bankare. Disa kozmologë kanë argumentuar se nuk është e pamundshme – të paktën matematikisht – të imagjinohet se i gjithë universi siç e njohim mund të jetë thjesht një simulim kompjuterik, si në “Matrix”. Në fakt, ne të gjithë jemi bërë nga copa, kështu që argumenti qëndron, i lëvizshëm, i deformueshëm me një klikim të një miu ndëryjor.
Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Mirjetë Sadiku/koha/