“A ka të rinj në Shqipëri? Unë përgjigjem se jo.” nga FAIK KONICA

TË LINDET RINIA!
[“A ka të rinj në Shqipëri? Unë përgjigjem se jo.” FAIK KONICA ]
Para thuajse nëntë dekadash, duke i bërë një diagnozë të hidhur shoqërisë shqiptare të të gjitha kohëve, Faik Konica i vuri përpara një sfidë të rëndë Shqipërisë së ardhme. Këtë sfidë asnjëri prej brezave që ndoqën njëri-tjetrin prej vitit të largët 1937 e deri më tash nuk e ka fituar gjer në fund. Fitimi i kësaj sfide do të ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për gjithë Shqiptarinë.
Cila është diagnoza e hidhur dhe cila sfida e rëndë?
Shkruante Faik Konica në artikullin “Të Rinjtë”:
“Disa probleme shtrohen këtu përpara vëzhgonjësit. E par’e punës, ç’është rinia a djalëria? Një profesor i Universitetit Yale, dr. Howard Haggard thoshte para disa javësh se […] “…ka njohur njerëz që ishin pleq kur arrijtën dyzet vjet, edhe të tjerë që ishin të rinj ndonëse shtatëdhjetë vjetsh nga vërsa. […] Rinia s’ka të bëjë me moshën…”
[“Ç’është rinia, ç’është i riu?] Të riut i ndizet mendja me ëndëra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interesë vetiake, është i zoti të vuaj për ideale; dridhet nga padrejtësitë dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja…”
“A ka të rinj në Shqipëri? Unë përgjigjem se jo. Në Shqipëri (…) shohim djem të ngrysur, me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojur dhe të thartë. Shqipëtari lint plak.”
“Nuk ka shqipëtarë të rinj, po vetëm ca shqipëtarë të lindur më parë, ca të lindur më pastaj, – të gjithë pleq, të thatë nga zëmëra e tyre, e cila s’ka njohur kurrë enthusiasmë për gjësendi.”
“Dhe me që janë të gjithë pleq, është më mirë për vendin të qeveriset nga pleq me jetë të gjatë që kanë patur rastin të njohin botën se sa nga pleq me jetë të shkurtër që dinë vetëm një gjë: të bërtasin që duan të bëhen gjeneralë pa patur qenë kurrë ushtarë.”
Kështu shkruante Faik Konica në 1937-n.

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.