Almanart sugjeron: Çfarë të bëni këtë fundjavë?

Sugjerimet tona për këtë fundjavë të nxehtë e me diell janë të fokusuara në qytetet e Shkodrës, Lezhës, Krujës, Korçës, Pogradecit dhe Vlorës.

Shkodra

Në Shkodër përgjatë datave 5-9 qershor do të mbahet “Ekrani i Artit” me 45 filma, 3 ekspozita, 4 instalime video specifike për faqet specifike, shfaqje, biseda me të ftuar specialë dhe orë të panumërta muzikë dhe kërcim në Kalanë e Shkodrës. Lokacionet do të jenë “Shkodra Art House”, Qendra “Arka”, Galeria e Arteve Shkodër, Galeria “Oda”, Muzeu i Memories dhe Kujtesës, Auditori i Françeskanëve, Kinema “Republika”, Kalaja e Shkodrës. Koncerti “Ramë Lahaj & Friends” do të mbahet në Shirokë në të shtunën e 8 qershorit, një koncert me hyrje të lirë buzë Liqenit të Shkodrës. Gjithashtu me datë 7 qershor do të mbahet takimi “Teksti si arkiv” me Ardian Vehbiun e Sait Saitin, botuesin e “Peizazhet e Fjalës” te Biblioteka “Marin Barleti” Shkodër. Sigurisht që nuk mungojnë aktivitetet e jetës së natës në club, bare, beach bar.

Lezha

Në Lezhë, në datat 5-11 qershor do të mbahet Festivali “UNUM” në zonën e Shëngjinit, një festival i dedikuar muzikës techno për dashamirësit e kësaj muzike. Gjithashtu do të jepet Teatri për Fëmijë “Princi i Vogël” në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Nuk mungojnë aktivitetet e jetës së natës.

Krujë në datën 7 qershor do të mbahet Koncerti “Folk On” te Kalaja e Krujës nga Ansambli Popullor i Valleve i Teatrit të Operas dhe Baletit, një koncert i dedikuar muzikës tradicionale popullore shqiptare.

Korça dhe Pogradeci

Korça ju fton të shtunën e datës 8 qershor në “Karnavalet e Korçës” me parada me maska, muzikë, koncerte në të gjithë zonën e Pedonales. Gjithashtu në datën 7 qershor do të mbahet një koncert me nxënësit e Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko Koço” pranë Teatrit “A.Z.Çajupi” Korçë. Gjithashtu nuk do të mungojnë aktivitetet e jetës së natës.

Pogradeci mirëpret “Vala Fest” me muzikë nga këngëtarë të ndryshëm në mbrëmjen e datës 8 qershor. Gjithashtu mbahet dhe Festivali për Teatrin e Kukullave për Fëmijë “Xinxifilo” me shfaqje të ndryshme nga qytete të ndryshme, ku do të mbyllë siparin më 9 qershor te Odeoni, buzë liqenit. Jeta e natës nuk mungon në bare, beach bar.

Në zonën e Dhërmiut, po mbahet “Kala Festival”, një festival që zhvillohet prej disa edicionesh, ku dominon muzika techno, aktivitete sportive e çlodhëse, yoga, që zhvillohen të gjitha buzë detit. Ky festival mbahet në datat 5-12 qershor. Gjithashtu nuk mungojnë aktivitetet e jetës së natës përgjatë gjithë bregdetit të jugut, që i gjeni te Kalendari i Almanart.

Almanart