Vincent van Gogh është bërë i pavdekshëm jo vetëm me veprën “Nata me Yje”, por edhe me ciklin e tij të lulediellit, që sot përbëjnë disa nga imazhet më të njohura të artit botëror. Për Van Gogh-un, këto lule nuk ishin thjesht një subjekt estetik, por një mënyrë për të krijuar një identitet artistik personal. “Luledielli është i imi”, shkroi ai, duke dëshmuar dëshirën për t’u lidhur me këtë bimë të fuqishme, me petalet e saj si flakë.
Ai pikturoi gjithsej 11 kanavacë me lulediell, në tri periudha mes viteve 1887–1889. E para ishte një seri prej katër pikturash në Paris. Të dytat, të realizuara në Arles në vitin 1888, janë më të famshmet, të pikturuara me gëzim dhe vrull krijues. Më pas, ai kopjoi disa prej tyre në fillim të vitit 1889. Lulediellit ishin edhe një eksperiment mbi nuancat e së verdhës, por gjithashtu kishin një rol praktik dhe simbolik: pikturat u bënë për të zbukuruar shtëpinë që Van Gogh shpresonte të ndante me mikun dhe kolegun e tij Paul Gauguin. Për Van Gogh-un, ato mishëronin shpresat për miqësi dhe solidaritet artistik. Por këto ëndrra u shuan shpejt: Gauguin e la pas dy muajsh, dhe Van Gogh vdiq i vetmuar në moshën 37 vjeç.

Megjithatë, pikturat e tij me lulediell fituan status kulti në fillim të shekullit XX. Shkrimtarja Katherine Mansfield i përshkroi si burim frymëzimi krijues, ndërsa kritiku Roger Fry i pa si shprehje të gëzimit, vitalitetit dhe forcës supreme të artistit. Kështu, ato kontribuan në ngritjen e Van Gogh-ut si një nga figurat më me ndikim në historinë e artit.
Ndikimi i tij vazhdon edhe sot. Ekspozita e Akademisë Mbretërore mbi Van Gogh-un dhe artistin bashkëkohor Anselm Kiefer tregon se si motivi i lulediellit mbetet i fuqishëm. Kiefer i përshkruan ato si lule që mishërojnë ciklin e jetës, kalbjen dhe rigjenerimin, shpesh duke i lidhur me koncepte kozmike dhe filozofike, si ato të Robert Fludd-it në shek. XVII, i cili besonte në një lidhje mes bimëve tokësore dhe yjeve qiellorë.
Simbolika e lulediellit ndër shekuj është e pasur dhe e larmishme. Lulja është me origjinë amerikane dhe u soll në Evropë pas shek. XVI. Heliotropizmi i saj (ndjekja e diellit) u bë tipari që i dha kuptime të thella simbolike. Në mitologjinë antike, ajo lidhej me historinë e Klitisë dhe Apollonit, duke u shndërruar në një shenjë të dashurisë së përkushtuar. Në artin evropian të shek. XVII, u përdor nga artistë si Maria van Oosterwyck dhe Anthony van Dyck për të simbolizuar dashurinë, martesën, besnikërinë fetare, madje edhe besnikërinë politike. Shkrimtarë si Joost van den Vondel e panë si metaforë për vetë artin, që ndjek dritën dhe bukurinë e natyrës.
Kjo simbolikë u transformua edhe në artin modern e bashkëkohor. Ai Weiwei, me instalacionin “Farat e Lulediellit” (2010), përdori miliona fara porcelani për të reflektuar mbi propagandën maoiste dhe marrëdhënien mes individit dhe pushtetit.

Në këtë mënyrë, luledielli pasqyron një gamë të gjerë shqetësimesh njerëzore, dashurinë, miqësinë, besnikërinë, fenë, politikën, artin dhe përsiatjen mbi kalimin e kohës. Për Van Gogh-un, ato mund të kenë qenë një mënyrë për të shprehur mirënjohje, ankth, por edhe një kërkim për ngrohtësi dhe dritë , qoftë në natyrë, në miqësi apo në art.
Në fund, si te Van Gogh ashtu edhe te Kiefer, luledielli mbetet një simbol universal i kalimshmërisë së jetës dhe shpresës për diçka më të përjetshme që mishëron besnikëri ndaj koncepteve që shkojnë përtej realitetit të përditshëm, duke na ftuar të kërkojmë gjithmonë dritën dhe dashurinë që tejkalon tokësoren.Burimi: BBC



