Përmbledhja e “Almanart”
Me fundin e verës nuk mbarojnë eventet. Përkundrazi, shtatori dhe muajt në vijim sjellin një nga periudhat më të pasura të vitit për artin dhe kulturën në Shqipëri, nga teatrot dhe festivalet e filmit, te koncertet, ekspozitat dhe netët elektronike.
Nëse vera është sezoni i festivaleve në bregdet, vjeshta është sezoni kur qytetet rikthehen në skenë.
Teatri nis sezonin me Korçën dhe Elbasanin
Një nga ngjarjet që e hap vjeshtën është “Koko Fest” në Korçë, festivali i komedisë që çdo vit sjell në skenë trupa dhe aktorë nga Shqipëria. Edicioni i këtij viti zhvillohet në ditët e para të shtatorit dhe e kthen Korçën në një pikë takimi për adhuruesit e teatrit dhe komedisë.
Pak javë më vonë, vëmendja zhvendoset në Elbasan, ku rikthehet Skampa International Theatre Festival. Edicioni i 28-të, me temën “To Be / Të Jesh”, zhvillohet më 30 shtator–5 tetor dhe sjell produksione teatrore, performanca, workshope, diskutime, ekspozita dhe aktivitete të tjera.
Sigurisht që nuk do të mungojnë shfaqjet e teatrit në Tiranë e kudo në Shqipëri, që priten të bëhen me dijë në vijm.
Një vjeshtë e mbushur me plot evente për kinemanë shqiptare
Edhe kinemaja do të ketë një vend të rëndësishëm në kalendarin kulturor.
Nga 3 deri më 12 shtator zhvillohet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, i cili rikthehet me edicionin e 14-të. Programi përfshin filma shqiptarë, premiera, dokumentarë, takime me krijuesit dhe aktivitete të dedikuara industrisë së filmit.
Gjithashtu do të mbahet dhe “Festivali i Filmit për të drejtat e njeriut” më 14-19 shtator 2026, e organizuar nga Akademia e Filmit “Marubi” Tiranë.
Dhe sigurisht, një nga emrat që nuk mund të mungojë në këtë listë është “Tirana International Film Festival” TIFF. Edicioni i 24-t zhvillohet më 21–27 shtator 2026, me më shumë se 200 premiera filmash të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, dokumentarë, animacion, video art dhe filma eksperimentalë. TIFF është gjithashtu festival kualifikues për Oscar® dhe European Film Awards në kategoritë përkatëse të filmave të shkurtër.
Në tetor pritet gjithashtu një tjetër periudhë e rëndësishme për filmin e shkurtër, me Korça Short Film Fest në Korçë, ndërsa gjatë sezonit do të ketë edhe aktivitete të tjera të lidhura me kinemanë, nga filmat me fokus të drejtat e njeriut te aktivitetet e skenës së pavarur.
Për herë të parë do të mbahet dhe “Kuçova International Film Festival” në qytetin e Kuçovës përgjatë datave 13-18 tetor 2026.
Për ata që e duan kinemanë më shumë si eksperiencë sesa thjesht si një mbrëmje në kinema, kjo është një nga periudhat më interesante të vitit.
Muzika nuk largohet me verën
Edhe pse festivalet e mëdha të verës përfundojnë, muzika vazhdon.
Në fillim të shtatorit, “Valart Fest” në Himarë dhe Lin Festival në Pogradec sjellin ende atë ndërthurje të bukur mes muzikës, artit dhe atmosferës së qyteteve jashtë Tiranës.
“Check-in Festival” do të zhvillohet më 4-5 shtator në Gjirokastër, si dhe pritet të zhvillohet dhe në Tiranë.
Në jug do të mbahen dhe “Jal Jam Fest” më 11 e 12 shtator 2026, si dhe Festival Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë” në Pilur më 11 e 12 shtator 2026.
Ndërkohë, “Korça Serenights” rikthehet për edicionin e tretë më 17–20 shtator, me katër netë kushtuar serenatave, muzikës live dhe atmosferës karakteristike të qytetit.
Nuk do të mungojnë as Festivale si “Kënga Magjike” apo “Festivali i Këngës RTSH” që mbahen gjatë muajit dhjetor.
Pritet publikimi i aktiviteteve dhe nga Teatri i Operas dhe Baletit, krahas koncerteve pranë Universitetit të Arteve.
Edhe eventet muzikore urbane do të vazhdojnë gjatë vjeshtës, me koncerte, DJ set-e dhe mbrëmje elektronike nga emra e organizatorë si Music Factor Lapidari, Beats n’Brunch, Soundscape dhe Devils Paradise.
Nuk do të mungojnë as mbrëmjet elektrizuese gjatë fundjavave pranë “Frekuence Club”, një klub muzikor i stilit të qytetit të Berlinit, pranë Kompleksit “Fari” në Tiranë.
Për adhuruesit e muzikës elektronike, në fund të nëntorit vjen edhe një debutim i veçantë: Verknipt Albania më 29 nëntor në Olympic Park në Tiranë.
Dhe po, ka edhe komedi
Nëse kërkoni diçka më të lehtë për një mbrëmje vjeshte, stand-up comedy do të ketë gjithashtu një vend të rëndësishëm në kalendar. “Comedy Thursday” pritet të vijojë mbrëmjet argëtuese çdo muaj e deri në eventin e 3 vjetorit të tij në dhjetor 2026.
Një nga emrat ndërkombëtarë që pritet në Tiranë është Max Amini, i cili do të performojë më 27, 28 dhe 29 nëntor në Pallatin e Kongreseve, me shfaqje në gjuhën angleze.
Nga festivali te galeria
Vjeshta është gjithashtu periudha kur galeritë dhe hapësirat e artit rikthehen në ritëm të plotë.
Ekspozita të reja do të shfaqen në Tiranë, Durrës, Korçë dhe qytete të tjera, ndërsa “Tirana Art Weekend” dhe aktivitetet e tjera të artit bashkëkohor do të sjellin artistë, kuratorë dhe publikun në hapësira të ndryshme të qytetit më 26-29 nëntor 2026.
Në Durrës, vëmendja mbetet edhe te “Durrës International Biennale of Contemporary Art”, një platformë që synon të sjellë në qytet zhvillimet dhe qasjet e reja të artit bashkëkohor ndërkombëtar.
Një vjeshtë për t’u shënuar në kalendar
Nga Korça në Elbasan, në Himarë e deri në Tiranë dhe Durrës, kjo vjeshtë duket se do të jetë një nga ato periudha kur ia vlen të mos e lëmë kalendarin kulturor bosh.
Teatër për të qeshur dhe për të menduar. Filma që sjellin histori të reja. Muzikë për netët e gjata. Ekspozita për të zbuluar artistë të rinj. Dhe evente që na nxjerrin nga rutina.
Pjesa më e mirë? Nuk ke pse të presësh fundjavën për të gjetur diçka për të bërë.
Ndiqni kalendarin e “Almanart” dhe zbuloni çdo javë çfarë ndodh në art dhe kulturë në Shqipëri.



