Çmimet e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, edicioni 14

çmimet e festivalit të filmit 2026

Kupa e Festivalit shkon për “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar u rikthye në edicion e katëmbëdhjetë të tij, me filma, aktivitete tematike dhe vlerësime për filmat më të mirë të prodhuar gjatë periudhës 2012-2025. Kurora e këtij rikthimi i takoi filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, me regji të Gentian Koçit, i cili u shpall fitues i çmimit kryesor të festivalit.

Edhe çmimet për aktorët sollën vlerësime për figura të njohura të skenës dhe ekranit. Adriana Matoshi u shpall “Aktorja më e Mirë” për interpretimin në filmin “Luna Park”, ndërsa Blerim Destani mori çmimin për “Aktorin më të Mirë” për rolin në “Amsterdam Express”.

Në kategoritë e tjera, çmimi për “Producentët më të Mirë” iu dha Dritan Huqit dhe Vjollca Dedejt, ndërsa Gjergj Xhuvani u vlerësua si “Regjisori më i Mirë”. Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte ndarja e “Çmimit të Karrierës” për ikonën e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Tinka Kurtin, në nderim të kontributit të saj të jashtëzakonshëm ndër vite.

Gjatë dhjetë ditëve të zhvillimit, interesi i publikut ishte i lartë. Sipas organizatorëve, rreth 20 mijë shikues ndoqën filmat dhe aktivitetet e festivalit në hapësirat e ndryshme të Tiranës, një shifër që përbën një nga arritjet më të rëndësishme të këtij edicioni.

Nga 3 deri më 12 shtator, Tirana u shndërrua në qendrën e kinematografisë shqiptare, me rreth 220 filma, të prodhuar nga viti 2012 e deri më sot, të shfaqur në katër hapësira: Universitetin e Arteve, Kinemanë “Agimi”, Piramidën e Tiranës dhe “Film Zone” në sheshin “Nënë Tereza”.

Në fund të mbrëmjes, u bë me dije nga drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë z.Jonid Jorgji, që në edicionin e ardhshëm, Festivali do të përfshijë dhe kinematografinë e prodhuar nga Kosova në konkurrim, që shënon një moment historik të artit mes Shqipërisë e Kosovës.

Lista kryesore e çmimeve

Çmimi “Filmi më i Mirë”: “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” – Gentian Koçi

Çmimi për “Aktoren më të Mirë”: Adriana Matoshi – “Luna Park”

Çmimi për “Aktorin më të Mirë”: Blerim Destani – “Amsterdam Express”

Çmimi për “Producentët më të Mirë”: Dritan Huqi dhe Vjollca Dedej

Çmimi për “Regjisorin më të Mirë”: Gjergj Xhuvani

Çmimi i Karrierës: Tinka Kurti

Çmimi “Filmi i Parë”: “Derë e hapur” – Florenc Papas

Çmimi i “Muzikës më të Mirë”: “Bolero në vilën e pleqve” – kompozitor Endri Sina

Çmimi për “Skenarin më të Mirë”: “Liqeni im” – Gjergj Xhuvani

Çmimi për “Producentin më të Mirë”: “Amsterdam Express” – producente Rozeta Feri

Çmimi për “Fotografinë më të Mirë”: “Derë e hapur” – Sevdije Kastrati

Gjithashtu u vlerësuan filmat e animuar, filmat me metrazh të shkurtër, ku pati përmendje të veçantë filmi “Lajmi” nga Lorin Terezi.

Urime për të gjithë artistët shqiptarë për punën e palodhur! Rroftë kinemaja!

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.