Copëza qytetesh | Mozaiku që i mbijetoi kohës

copëza qytetesh mozaiku i tiranës

Historia e një Tirane të panjohur

Ka vende në Tiranë pranë të cilave kalojmë çdo ditë, pa e ditur se sa histori mbajnë brenda. Një prej tyre është “Mozaiku i Tiranës”, i fshehur në një rrugicë pranë zonës së “Zogut të Zi”.

Historia e tij doli në dritë krejt rastësisht në vitin 1972, gjatë punimeve për ndërtimin e një pallati. Askush nuk e priste që nën themelet e qytetit të gjendej një vilë romake, e ndërtuar rreth shekullit të parë pas Krishtit. Më vonë, në të njëjtin vend u ngrit edhe një kishë paleokristiane, gjurmët e së cilës ruhen ende sot.

“Mozaiku i Tiranës” është një pikë shumë e rëndësishme referimi në Shqipëri dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. 


Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.

Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme. Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës. 

Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Ndoshta herën tjetër që të kalosh aty pranë, ia vlen të ndalosh për disa minuta. Për të mësuar më shumë mbi historinë antike të qytetit, si dhe për të menduar se sa jetë kanë kaluar mbi të njëjtën tokë, shumë kohë para nesh.

“Copëza qytetesh” është një seri e “Almanart” që sjell në vëmendje vende, histori dhe detaje të qytetit që shpesh i kalojmë pa i parë.

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.