Jubileu i një festivali unik
Nga 7 deri më 15 gusht 2026, Prizreni pret edicionin e 25-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë në Kosovë dhe në rajon.
Një çerek shekulli më parë, “DokuFest” nisi me një ide të thjeshtë. që të rikthente kinemanë në jetën kulturore të Prizrenit. Sot, pas 25 vitesh, festivali është shndërruar në një pikë takimi për kineastë, artistë dhe publik nga vende të ndryshme të botës.
25 vite më vonë, festivali vijon të ngrejë pyetje
Edicioni jubilar i këtij viti vjen me temën “Persistent Defiance”, një qëndresë e vazhdueshme përballë një realiteti gjithnjë e më të trazuar.
Më shumë se një slogan festivali, tema duket si një mënyrë për të përshkruar vetë rolin që dokumentari dhe filmi i shkurtër mund të luajnë sot, që është të shohin atë që shpesh preferojmë të mos e shohim, të dëgjojnë histori që mbeten në periferi dhe të krijojnë hapësirë për pyetje.
Motoja e edicionit, “Show up or it doesn’t count!”, e përmbledh këtë ide në mënyrë të drejtpërdrejtë.
ka rëndësi. Të jesh aty, të shohësh, të dëgjosh dhe të mos kalosh indiferent përballë historive të kohës.
104 filma nga shtete të ndryshme që kanë shumë për të treguar
Për edicionin e 25-të janë përzgjedhur 104 filma në konkurrim, nga 3,687 aplikime të ardhura nga e gjithë bota.
Filmat do të garojnë në 8 kategori dhe, si gjithmonë, programi e vendos dokumentarin dhe filmin e shkurtër në qendër të një bisede më të gjerë mbi shoqërinë, kujtesën, identitetin dhe realitetin bashkëkohor.
Por “DokuFest” nuk është vetëm konkurs. Është edhe një festival ku filmi del nga salla tradicionale dhe përzihet me arkitekturën, rrugët dhe atmosferën e Prizrenit. Qyteti historik shndërrohet çdo verë në një rrjet hapësirash kinematografike, përfshirë edhe shfaqje në ambiente të hapura.
Nuk do të mungojnë as mbrëmjet me muzikë “DokuNights”, konkurset, punëtoritë për fëmijë e plot të tjera.
Kur Prizreni “shndërrohet” në kinema
Ndoshta një nga arsyet pse “DokuFest” ka një identitet kaq të veçantë është pikërisht marrëdhënia me qytetin.
Prizreni nuk është vetëm vendi ku zhvillohet festivali. Është pjesë e përvojës.
Filmi mund të të çojë në një tjetër cep të botës, ndërsa pak minuta më vonë je duke ecur në rrugët e vjetra të qytetit, duke kaluar pranë lumit ose duke u ulur në një nga hapësirat e shumta ku gjatë festivalit takohen kineastë dhe publik.
Kjo marrëdhënie mes qytetit dhe filmit është bërë një nga shenjat dalluese të DokuFestit.
Nga një festival lokal në një emër ndërkombëtar
I themeluar në vitin 2002, DokuFest është rritur nga një iniciativë për të rigjallëruar kulturën e kinemasë në Prizren në një festival me jehonë ndërkombëtare. Që prej vitit 2019, festivali është BAFTA-qualifying për filmat e shkurtër, ndërsa nga viti 2022 është edhe festival kualifikues për European Film Academy.
Kjo e vendos “DokuFest” në një hartë më të gjerë të festivaleve evropiane dhe i jep një tjetër peshë industrisë së filmit në Kosovë dhe në rajon.
Prezenca e emrave si Marc Cousins, tregon për rëndësinë që ka fituar festivali me kalimin e viteve.
Një çerek shekulli dhe ende në lëvizje
25 vjet mund të jenë shumë për një festival.
Por “DokuFest” duket se nuk po e përdor përvjetorin për të parë vetëm pas. Përkundrazi, edicioni i 25-të e vendos festivalin sërish përballë të tashmes.
Në një kohë kur lajmet kalojnë me shpejtësi në ekranet tona dhe historitë shpesh reduktohen në disa sekonda, kinemaja dokumentare na kërkon diçka tjetër, që të ndalemi dhe të shohim.
DokuFest 2026
Prizren, Kosovë
7–15 gusht 2026
Edicioni XXV



