“Ana tjetër e Realizmit Socialist: Artistët e Ndaluar” – Edison Gjergo
𝐒𝐞𝐫𝐢𝐚 “𝐀𝐧𝐚 𝐭𝐣𝐞𝐭ë𝐫 𝐞 𝐑𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢𝐭 𝐒𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥𝐢𝐬𝐭: 𝐀𝐫𝐭𝐢𝐬𝐭ë𝐭 𝐞 𝐍𝐝𝐚𝐥𝐮𝐚𝐫” 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐨𝐧 𝐦𝐞 𝐄𝐝𝐢𝐬𝐨𝐧 𝐆𝐣𝐞𝐫𝐠𝐨𝐧 (1939–1989), një nga figurat më të veçanta të pikturës shqiptare të viteve 1960–1970.
Ylli Drishti, studiues i artit shqiptar, dhe Genti Gjikola, studiues dhe kurator pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, do të flasin mbi jetën dhe veprën e Gjergos përmes pikturave, kritikës së kohës dhe dokumenteve që çuan në dënimin e tij.
I formuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Gjergo nuk iu shmang tematikës së Realizmit Socialist: pikturoi partizanë, punëtorë dhe naftëtarë, por brenda saj kërkoi një gjuhë tjetër piktorike.
Kjo kërkimtari arrin një nga kulmet e saj te vepra “Epika e yjeve të mëngjesit”. E ekspozuar fillimisht më 1971, tabloja u bë objekt debatesh për ngjyrën, ekspresivitetin, ndikimet moderniste dhe raportin mes formës dhe përmbajtjes. Ajo që fillimisht diskutohej si problem estetik, me kalimin e kohës filloi të lexohej si problem ideologjik. Në prill 1973, vepra “Pusi 542” kritikohej sepse koloriti i tij “nuk i përgjigjet temës”; pak muaj më vonë, Sigurimi udhëzonte bashkëpunëtorët të mblidhnin nga Gjergo mendimet e tij mbi Realizmin Socialist, artin modern dhe rolin e Partisë në art.
Në janar 1975, Gjergo u arrestua dhe në prill u dënua me tetë vjet burg për “agjitacion e propagandë”. Në vendimin e gjykatës, qëndrimi i tij ndaj Realizmit Socialist kërkohej jo vetëm në fjalët e tij, por “edhe në punimet që ka bërë”. Pas lirimit nga Spaçi më 1982, ai nuk u rikthye më në skenën artistike. Përndjekja dhe survejimi vazhduan deri në vdekjen e tij më 1989, në moshën 50-vjeçare.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të programit “Jehonat e Kujtesës”, organizuar nga Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve.
#TheOtherSideOfSocialistRealism #EdisonGjergo #YlliDrishti #GaleriaKombetareeArteve #ShtepiaMeGjethe
Date
- 11/09/2026
- Aktivitete të Përfunduara
Location
- Muzeu "Shtepia me gjethe"