“Arkitektura komuniste shqiptaro-kineze” te IAKSA
Ditën e mërkurë, dt. 15.03.2023, ora 16:00, rikthehet cikli i seminareve mbi projektet arkivuese në lëmin kulturor shqiptar dhe praktikat arkivore në institucionet artistike shqiptare gjatë tridhjetë viteve të fundit. Cikli i seminareve mbi marrëdhëniet mes arkivit, artit post-socialist dhe kulturës
bashkëkohore organizohet nga Departamenti i Studimit të Artit në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA).
Të ftuarit e parë për vitin 2023 janë Vincent W.J. van Gerven Oei dhe Ylber Marku, të cilët do të flasin mbi projektin e tyre të përbashkët “Arkitektura komuniste shqiptaro-kineze”, realizuar në bashkëpunim me fotografin Marco Mazzi më 2015. Arkivi fotografik i këtij projekti, i cili konsiston në më shumë se katër mijë imazhe digjitale, është pjesë e fondit të Qendrës së Dokumentacionit Artistik që prej vitit 2021.
Takimi zhvillohet ditën e mërkurë, dt. 15 mars 2023, në sallën “Rrok Zojzi” pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Ju ftojmë të na bashkoheni duke filluar nga ora
15:45!