Dorela Lazaj në bashkëbisedim me Jursi Temali te BERK
Ëndrrat që na lejohen të ëndërrojmë
Dorela Lazaj në bashkëbisedim me Jursi Temali
Në shoqëritë që dalin nga sisteme autoritare, “liria” negocion vazhdimisht me strukturat ekzistuese të pushtetit, ekonomisë dhe kujtesës historike, duke krijuar një hapësirë ku tranzicioni nuk është thjesht periudhë historike por konditë e tejzgjatur e jetës së përbashkët. Në këtë realitet, urbania bëhet skena ku projektohen shpresat, konfliktet dhe kufijtë e imagjinatës kolektive, e cila është njëkohësisht e guximshme dhe e kufizuar: një imagjinatë që projekton të ardhmen, por gjithmonë në dialog me kufijtë e së mundshmes.
Në këtë kontekst lind edhe pyetja që qëndron në qendër të këtij bashkëbisedimi:
Çfarë forme marrin ëndrrat në një shoqëri tranzicionale?
Dhe mbi të gjitha: cilat ëndrra na lejohet të ëndërrojmë?
Biseda e Dorela Lazajt me Jursi Temalin hap një dritare mbi dy përvoja dhe dy perceptime të ndryshme të tranzicionit: një brez që e ka përjetuar drejtpërdrejt transformimin e sistemit në një realitet të ri politik dhe ekonomik, dhe një brez tjetër që është rritur brenda derivatit të këtij transformimi. Ky dialog synon të kuptojë jo vetëm se si jetohet tranzicioni, por edhe si imagjinohet e ardhmja brenda tij dhe brenda këtij mjedisi të ndërtuar. Si ndikon ky mjedis “përjetësisht në ndërtim” në formimin e ndërgjegjes qytetare dhe politike?
Këto pyetje dhe reflektime lidhen me një proces më të gjerë kërkimor të Dorela Lazajt, mbi arkitekturën dhe hapësirat e rezistencës, i zhvilluar në Prishtinë dhe më gjerë në rajon, i cili ndjek mënyrën se si transformimet urbane dhe politike kanë formësuar ndërgjegjen qytetare në dy shoqëri me tranizicion mjaft të ndryshëm.
Ky bashkëbisedim organizohet si ngjarja përmbyllëse e një projekti kërkimor të realizuar në kuadër të programit Culture Moves Europe, një iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar nga Goethe-Institut, që mbështet mobilitetin artistik dhe kërkimin kulturor në hapësirën evropiane.
#CultureMovesEurope #PushBoundaries