Ekspozita “17 shkurti” te Galeria “Fab” Tiranë
Të nderuar miq, Galeria FAB ka kënaqësinë e veçantë t’ju ftojë në inagurimin e ekspozitës:
‘‘17 SHKURTI‘‘
Organizuar me punime të zgjedhura nga Stafi pedagogjik i Fakultetit të Arteve, Prishtinë dhe Fakulteti i Arteve të Bukura, Tiranë.
Inagurimi, Dt. 17 shkurt, ora 18.00
Kohëzgjatja, 17 – 27 shkurt 2026,
Kurator, Guri Çavdarbasha / Kordinator, Shpëtim Kërçova
Galeria FAB, Universiteti i Arteve,
Tiranë
…
Ekspozita më e fundme në Galerinë FAB, realizuar me punimet e stafit pedagogjik të Fakultetit të Arteve të Bukura në Tiranë dhe Fakultetit të Arteve në Prishtinë, synon të rivendosë në një dimension të ri marrëdhënien historike mes këtyre hapsirave akademike duke hedhur bazat për një cikël të ri bashkëpunimi institucional dhe artistik. Ky bashkëpunim parashikohet të materializohet në një seri ekspozitash të përbashkëta, shkëmbimesh artistike, eventesh personale dhe aktivitetesh në nivel studentor, duke krijuar një platformë të qëndrueshme komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve. Në perspektivë, kjo nismë pritet të pasqyrohet në mënyrë të vazhdueshme në kalendarin vjetor të Galerisë FAB dhe të Galerisë së Fakultetit të Arteve në Prishtinë, duke u shndërruar në disa prej momenteve më dinamike, përfaqësuese dhe entuziaste të jetës artistike ndërshqiptare.
Ky dialog vizual, i cili i njeh fillesat e veta që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, përfaqëson jo vetëm një traditë bashkëpunimi institucional, por edhe një urë të rëndësishme komunikimi estetik, kulturor dhe intelektual mes dy hapësirave akademike që kanë luajtur një rol vendimtar në formimin dhe zhvillimin e brezave të artistëve shqiptarë. Në këtë kuptim, rikthimi dhe riaktivizimi i kësaj tradite në kushtet e sotme merr një dimension edhe më të gjerë dhe më bashkëkohor, pasi synon të krijojë hapësira të reja reflektimi teorik, bashkëkrijimi artistik dhe dialogu kritik mbi zhvillimet e artit bashkëkohor shqiptar, në një kontekst gjithnjë e më të hapur rajonal dhe ndërkombëtar.