
Ekspozita “Dreamscape – Një udhëtim mes realitetit dhe nën-ndërgjegjes”
DREAMSCAPE
Një udhëtim mes realitetit dhe nën-ndërgjegjes.
——–
Hapsira Alternative e Artit Bashkëkohor
——–
INAGURIMI: Dt. e mërkurë – 08 Tetor 2025 – Ora 19.00
MAG: Design – Art – Living | Autostrada Tiranë – Durrës KM 1 www.magdesign.art
——–
ARDIAN ISUFI – ARDIAN KAPO – ARTAN MARKU – ARTAN PEQINI – ERGYS KRISIKO – HELIDON HALITI – SADIK SPAHIJA
“DREAMSCAPE” është një hapsirë alternative e artit bashkëkohor që fton vizitorin të futet në një peizazh ëndrrash dhe në një botë ku logjika e përditshme shprishet, realiteti shpërbëhet, dhe gjithçka është e mundur. E strukturuar si një udhëtim pamor dhe emocional përmes veprave të artistëve bashkëkohorë nga fusha të ndryshme mediumesh, kjo ekspozitë synon të zhbëjë kufijtë mes reales dhe imagjinatës, vetëdijes dhe nënvetëdijes, kujtesës dhe dëshirës.
Në thelb është një hapësirë e ndërmjetme dhe një vend i paqëndrueshëm ku koha zgjatet ose shpërbëhet, ku trupat marrin forma të reja, dhe ku narrativat personale shpërndahen në fragmente, si kujtime të një ëndrre që tretet menjëherë pas zgjimit. Vepra të frymëzuara nga estetika posmoderne, mitologjia personale dhe përvojat intime krijojnë një dialog të heshtur mes të pandërgjegjshmes kolektive dhe asaj individuale.
Ky “peizazh ëndrrash” nuk është arratisje, ato janë thjesht propozime për përjetime dhe një mjet për të parë realitetin përmes një filtri tjetër, si për të kuptuar ankthin, dëshirën, pasiguritë dhe ëndrrat e kohës sonë. Artistët nuk paraqesin të vërteta absolute, por sugjerime të një bote të përjetuar përtej racionales, ku çdo vepër bëhet një dritare drejt psikikës të së tashmes emergjente, shpesh të turbullt, por thellësisht njerëzore.
“DREAMSCAPE” mbi të gjitha është një ftesë për të mos kuptuar gjithçka, por për të ndier gjithçka. Një ftesë për të hyrë në territorin e paqartë, ku arti pushon së qeni objekt dhe bëhet përvojë intime, shpesh i çuditshëm, por thellësisht i vërtetë.
