Ekspozita “Kujtesë e trupëzuar” nga “Tirana Art Lab”
Tirana Art Lab dhe Vila 31 x Art Explora ju ftojnë në çeljen e ekspozitës në grup, kuruar nga pjesëmarrësit e edicionit të dytë të programit Kurim me Përkujdesje!
Kujtesë e Trupëzuar
Me Nikolin Bujari, Orestia Kapidani, Erald Nezaj, Ferdinand Paci, Remijon Pronja, Nurhan Qehaja, Anila Rubiku
Çelja e ekspozitës: 11 Dhjetor 2025, 18:00
📍Vila 31 x Art Explora
Kujtesë e Trupëzuar i qaset trupit si një enë e kujtesës dhe historisë përmes një shumësie kujtimesh, duke gjurmuar prejardhjen e tyre në një të kaluar të përbashkët, të vështirë dhe të dhunshme. Në një terren të formësuar nga trauma, heshtja, puna, mërgimi dhe rezistenca, format dhe gjestet që zgjerojnë kujtesën kolektive shndërrohen në mjete të afta për të përcjellë forcën e saj, duke nxjerrë në pah si e shkuara vazhdon ta ndërtojë të tashmen. Shtatë artistë reflektojnë mbi largësinë e paqëndrueshme midis përvojës së jetuar dhe rrëfimit historik: hendekun midis asaj që ka ndodhur dhe si kujtohet, midis asaj që qëndron në trupa dhe asaj që mbijeton në imazhe, objekte dhe histori.
Kjo ekspozitë dhe Kurim me Përkujdesje – Ballafaqimi me të Kaluarën në praktikën kuratoriale janë zhvilluar nga Tirana Art Lab – Center for Contemporary Art, në bashkëpunim me Istituto Italiano di Cultura, Vila 31 x Art Explora, Goethe Zentrum Tirana, dhe mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve.