Ekspozita “Mask” nga Viktor Ferraj te Galeria “Fab” Tiranë
“MASK”
E pashë atë mbi tryezë dhe ajo më vështroi me vështrimin tim.
E pashë mbi një gur dhe ajo më peshoi në fytyrë si një mal.
E pashë në një pemë dhe deget e saj u rritën brenda meje.
Më ngazëllente dhe më friksonte, më ftonte të behesha bashkëudhëtar i saj.
Njihte dhimbjet dhe gëzimet e mija, ndaj qeshte dhe qante, por lotët nuk dukeshin kurrë.
Nga thellësia e një honi lëshonte kumtin e vet.
Donte të ishte mburoja dhe shpata ime.
Viktor Ferraj
“MASK” është ekspozita e rradhës e artistit Vikror Ferraj ku veprat e përzgjedhura lëvizin midis figuracionit klasik dhe abstragimit ekspresiv.
Maska nuk është thjesht një mjet fshehjeje; ajo është, paradoksalisht, një mjet komunikimi.
Ferraj përmes kësaj ekspozite eksploron maskën si një shfaqje publike, një teatër i detyruar apo i zgjedhur.
“Ne e dimë se kush jemi, por nuk e dimë se çfarë mund të dukemi nën dritën e skenës.”
Kjo ekspozitë nuk kërkon të heqë maskat, por të na bëjë të vetëdijshëm për to.
A është maska një burg, apo është liria jonë për të qenë kushdo?
Në këtë “shfaqje”, publiku nuk është thjesht vëzhgues, por pjesë e dekorit, duke mbartur secili maskën e vet të padukshme ndërsa ecën mes veprave të Viktorit.
Në epokën e imazhit të shpejtë, fytyra njerëzore ka pushuar së qeni thjesht anatomi; ajo është kthyer në një shfaqje.
Ekspozita “Mask” mbledh bashkë një cikël punimesh që eksplorojnë tensionin midis asaj që ndihet dhe asaj që shihet.
Maska këtu nuk trajtohet si mjet për t’u fshehur, por si një nevojë për t’u shfaqur.
Në veprat e këtij koleksioni, tiparet e fytyrës shpesh shkrihen, humbasin ose deformohen, duke i lënë vendin emocioneve të pastra: ankthit, euforisë, vetmisë apo dëshirës për t’u pëlqyer.
Petraq Papa