
Ekspozita “Tulla Visual Art Lab – Fëmijët”
Hapja e Ekspozitës -Tulla Visual Art Lab – Fëmijët
31 Korrik 2025 | 19:00 – 15 Gusht 2025
Tulla ka kënaqësinë t’ju ftojë në hapjen e ekspozitës me punimet e krijuara gjatë edicionit të 3të të rezidencës për fëmijë – Tulla Visual Art Lab.
Punëtoria udhëhiqet nga mësuesja e artit Dardane Hadri, e cila prej vitesh punon në Argyle Primary School në Londër. Nën drejtimin e saj, fëmijët ndërmorën një udhëtim unik krijues, duke eksploruar tradita të ndryshme artistike dhe duke eksperimentuar me teknika e materiale të larmishme. Nga eleganca e estetikës tradicionale japoneze, te bota me ngjyra dhe pika e Yayoi Kusama-s, arti aborigjen me simbolet dhe teksturat e tij, e deri te alfabeti vizual Adinkra nga Afrika Perëndimore – punëtoria i ftoi fëmijët ta shohin artin si shprehje individuale, por edhe si kujtesë kolektive.
Ekspozita paraqet rezultatet e kësaj rezidence frymëzuese: piktura, vizatime, skulptura dhe vepra bashkëpunuese që pasqyrojnë imagjinatën, durimin dhe kureshtjen kulturore të artistëve më të vegjël.
