Filmi “House with a voice” te “Tulla Culture” Tiranë
☆ Shfaqja e “HOUSE WITH A VOICE” në Tiranë ☆
Prishtina Queer Festival, Dylberizm dhe Aleanca LGBT sjellin në Tiranë shfaqjen e filmit dokumentar “HOUSE WITH A VOICE” – me regji të Kristine Nrecaj dhe Birthe Templin. HWAV është rrëfim i gjashtë Burrneshave që jetojnë në një shoqëri patriarkale. Gjashtë histori të ndryshme jete dhe një vendim i përbashkët: të heqin dorë nga feminiteti dhe të jetojnë si burra, për të fituar një zë, për të përjetuar lirinë personale dhe për të luftuar për barazi.
Shumë përpara se gjuha e të drejtave gjinore të mbërrinte në ekranet shqiptare, Burrneshat tashmë jetonin përtej binarit normativ. Çfarë mund të na mësojnë Burrneshat për gjininë sot? Si i sfidojnë ato idetë tona për identitetin, lirinë dhe përkatësinë? Dhe në një shoqëri të ndarë mes përparimit dhe reagimit, çfarë mësimesh mbartin ato për betejat që na presin?
Bashkë me Zhaklin Lekatarin, Aleks Seitaj, Romina Rudën dhe Sidita Zajën, ju mirëpresim këtë të premte, duke filluar nga ora 18:00 në @tullaculture. Ngjarja është pa bileta dhe e hapur për të gjithë.
Ky projekt është mbështetur nga EFB, një bashkëpunim i organizuar nga Rrjeti i Fondacioneve Evropiane.