
“Korça Short Film Fest 2025”
Nga data 9 deri më 13 shtator nis KO:SH Film Fest 2025.
Tema e këtij viti është “Zhvendosja”, qoftë e shkaktuar nga lufta, mungesa e demokracisë, vështirësitë ekonomike apo korrupsioni sistemik. Një çështje thelbësore me të cilën përballemi, e cila po formëson jetët e miliona njerëzve anembanë botës.
Gjatë pesë ditëve të festivalit do të shfaqen 81 filma nga 40 shtete, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen në: Kinema Majestic, Galerinë e Arteve Digjitale Korçë, Bibliotekën e Korçës dhe Qendrën Rinore Korçë.
Vendi në fokus këtë vit është Bullgaria, dhe një program i kuruar nga In The Palace Short Film Festival do të shfaqet në ditën e hapjes së festivalit.
Programi për fëmijë do të përfshijë shfaqje filmash, punëtori dhe masterklasa, ku fëmijët e moshave të ndryshme do të kenë mundësinë të marrin pjesë.
Gjithashtu, gjatë ditëve të KO:SH Film Fest 2025 do të organizohen edhe seanca diskutimesh mbi tema të ndjeshme, duke e bërë këtë edicion një hapësirë gjithëpërfshirëse për të gjithë.
Qëndroni të përditësuar dhe shihemi në Korçë, 9–13 shtator 2025.
