Metro Sound-Track – Muzika e filmit shqiptar me Gridi Krajën
Metro Sound-Track 🎵🎞️
Teatri Metropol sjell një mbrëmje të veçantë kushtuar muzikës së filmit shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja dhe interpretimin e orkestrës simfonike SinfoArt.
Në skenë rikthehen tingujt që kanë shoqëruar disa prej filmave më të rëndësishëm të kinemasë sonë🎞️, duke sjellë emocione, kujtime dhe një nostalgji të bukur për kolonat zanore që kanë bërë histori.
Gjatë koncertit do të interpretohen veprat e Çesk Zadesë nga “Skënderbeu – Suite”, muzika prekëse e Aleksandër Lalos për “Dimri i fundit”, kompozimet e Robert Radojës në “Mëngjese lufte”, si dhe krijimet emblemë të Aleksandër Peçit për “Gjeneral Gramafoni”. Publiku do të dëgjojë gjithashtu meloditë e paharrueshme të Limos Dizdarit nga “Rrugë të bardha” dhe “Mësuesja”, kompozimet plot ndjesi të Hajg Zaharianit nga “Besa e kuqe” dhe “Dora e ngrohtë”, si dhe kolonën zanore të dashur të Agim Krajkës nga “Zonja nga qyteti”. Muzika e Kujtim Laros do të vijë po ashtu në skenë me veprat e filmave “Liri a vdekje”, “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe “Lulëkuqe mbi mure”.
Një mbrëmje e mbushur me art dhe kujtime, ku tingujt e kinemasë shqiptare marrin jetë të re përmes një interpretimi të fuqishëm simfonik. Një udhëtim emocional që nuk duhet humbur.🎬✨
🗓️ 18 & 19 Dhjetor ora 19:00