Promovim i librit “Në atë vend” nga Ardian Vehbiu te Librari “Valentini” Tiranë

Të dashur miq, kolegë dhe lexues,
Ju ftoj në prezantimin e librit tim më të ri, NË ATË VEND, këtë javë të premten më 7 nëntor te Libraria Valentini. Libri është një mozaik përsiatjesh rrëfimtare, raportesh udhëtimesh të imagjinuara dhe tablosh gjeografike, që kërkon të përcjellë dëshirën tonë për të rrëfyer çfarë kemi parë dhe për të parë çfarë na kanë rrëfyer të tjerët. Disa prej jush i njohin tashmë pjesë të kësaj vepërze, sepse i kanë parë në rrjetet sociale; të tjerët që janë kureshtarë mund të vijnë ose në këtë prezantim, ose në stendën e shtëpisë botuese Albas, gjatë Panairit të Librit, ku do të kemi një bisedë tjetërlloj.
Shqiptarët po udhëtojnë në botë si kurrë më parë – si turistë, si emigrantë, ose edhe thjesht nga dëshira për t’u ribashkuar përkohësisht me të dashurit e tyre, duke rikrijuar një atdhe që i kapërcen distancat gjeografike. Përballja me të huajin, me Tjetrin, që tani nuk ndodh zakonisht në rrethana pushtimesh apo armiqësish të tjera ekzistenciale, nxit një filozofi të një lloji të ri, ku ballafaqimi zhvendoset nga njerëzit me armë, tek idetë dhe modelet e të jetuarit, por edhe te ëndrrat e ndryshme.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria po imponohet si ai vendi “GJETIU”, që i rekomandohet botës për ta zbuluar e vizituar; dhe ne jemi tashmë edhe spektatorë në skenat turistike të botës përtej, edhe aktorë në skenën turistike që e ngremë dhe e mirëmbajmë vetë. Qasja ime në libër është refleksive, poetike dhe me një ton prej përralle, që gjithnjë kërkon të kanalizojë udhëtarët e mëdhenj të kulturave, ata që na kanë mësuar si ta shohim dhe ta shijojmë gjeografinë, dhe historinë që i nënvendoset; siç kërkon të kanalizojë autorët legjendarë të librave të udhëtimit, nga Homeri i “Odisesë”, te Jonathan Swift-i i Gulliver-it e deri te Calvino-ja i “Qyteteve të padukshme”.
Miq, e kam të vështirë që t’ju ftoj individualisht në këto prezantime; por një vizitë te Valentini nuk është kurrë kohë e humbur. Një pjesë e madhe e kohës sime kalon në përpjekje për të komunikuar me ju, lexuesit online, nëpërmjet revistës “Peizazhe të fjalës”. Do të ishte kënaqësi e veçantë, që të shiheshim edhe drejtpërdrejt, në një takim për librin.
Me shpresë se do të shihemi së shpejti,
Ardian

Date

07/11/2025

Time

18:30

Location

Libraria “Atë Zef Valentini”, Tiranë

Kategorite

QR Code

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.