
Shfaqja e dokumentarit “Përballë, me Reshat Arbanën” te Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit uron aktorin e dashur Reshat Arbana, Nderi i Kombit, për 85-vjetorin e lindjes. Një prej figurave më të dashura të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, një jetë në shërbim të artit!
Me një zë të ngrohtë dhe të fuqishëm që të imponon respekt e që rrjedh si jehonë prej shpirtit, dhe me një prani të thellë në skenë e në ekran, Arbana rrënjosi veten në zemrat e publikut shqiptar për dekada me radhë. Ai solli në jetë mbi 40 personazhe në kinematografi dhe qindra role në teatër, duke u bërë një simbol i gjallë i shpirtit popullor, burrërisë, dhimbjes, revoltës dhe dashurisë për vendin.
Nga figura të historisë kombëtare, te njerëz të thjeshtë me halle e krenari të mëdha, Reshat Arbana u bë një pasqyrë e shpirtit shqiptar. Në role si Samiu tek Fije që priten (1976), Prefekti tek Gjeneral gramafoni (Gjika, 1978), Bimbashi tek Liri a vdekje (Muçaj, Mitro, 1979), Isa Boletini tek Nëntori i dytë (Gjika, 1982), Ahmeti tek Dora e ngrohtë (Çashku, 1983), Adnani tek Hije që mbeten pas (Musliu, 1985), Aliu tek Binarët (Fejzo, 1987), Emili tek Rikonstruksioni (Kasaj, 1988), Kukë Memini tek Balada e Kurbinit (Çashku,1990), ai foli me gjuhën e njeriut të thjeshtë, por edhe me thellësinë e një artisti të përmasave të mëdha. Për rolet e Dajlan Beut tek Kush vdes në këmbë (Prifti, 1984) dhe Kryetarit të Këshillit tek Kur hapen dyert e jetës (Ljarja, 1986), ka fituar Medalionin e Festivaleve të Filmit në vitet 1985 dhe 1987.
Në këtë përvjetor, e urojmë me dashuri e mirënjohje, si një aktor që nuk luajti vetëm role, por preku jetët tona me artin e tij të sinqertë.
🆕 Me këtë rast, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të shfaqë në kinemanë e institucionit dokumentarin 📽️ “Përballë, me Reshat Arbanën” (2016), realizuar nga Ornela Islami, prodhuar nga Digitalb dhe OnFilm Production me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
📅 15 shtator 2025
🕔 17:00
📍 Kinemaja e AQSHF-së, Rruga Aleksandër Moisiu, 76/1, Tiranë
🆓 Hyrja e lirë!
Gëzuar 85-vjetorin, Reshat Arbana!
Trashëgimia jote mbetet një thesar i paçmuar për kulturën shqiptare.
