
Shfaqja “VRASJE NË VJESHTË” te Odeoni veror, Pogradec
“VRASJE NË VJESHTË”
🗓️ Më 15 Korrik / Ora 20:00
📍 Odeoni veror, Pogradec.
Mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit.
Regjia dhe dramatizimi: Stefan Çapaliku
Interpretojnë:
Mehmet Xhelil, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj
Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme vecanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit.
Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë.
Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtzakonshme, që presupozonte eleminimin e cdo personi që nuk do i bindej këtij urdhëri.
Personi i vetëm që nuk do i bindet këtij urdhëri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjensie detare, beqar.
Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe mëpas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë.
Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri paidentitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eleminon fizikisht.
