Shfaqje e Dokumentarit artistik dhe Promovim i publikimit “State of condition” nga Blerta Hocia
Shfaqje e Dokumentarit artistik dhe Promovim i publikimit
‘STATE OF CONDITION’ nga Blerta Hocia
Ju presim të martën Tek Bunkeri
11.11.2025 h.18:00
State of condition* i referohet një raporti të detajuar teknik mbi gjendjen ekzistuese të një objekti apo zone të caktuar i cili përpilohet zakonisht në fazën që paraprin ndërhyrjen në të. Në këtë rast gjendja ekzistuese pëson deformime ekzistenciale në një përpjekjeje për të ngrirë një çast në kohë dhe hapësirë, për të ruajtur atë që është e destinuar të ndërrojë formë, edhe pse vetëm nëpërmjet dokumentimit vizual dhe rrëfimeve të komunitetit që i përket.
Shndërrimi është proces i natyrshëm i ekzistencës, askush dhe asgjë nuk kursehet, e aq më pak qytetet dhe kur flasim për qytetet, mendimi i largohet kontureve të linearitetit duke iu përshtatur shtresëzimeve dhe mijëra botëkuptimeve nga të cilat përbëhet.
Në këtë moment të transformimit drastik të qytetit, fokusi zhvendoset nga qendra në periferi, nga pompoziteti i kullave te larta me shëmbëllime fantazioze dhe kapricioze të hartave apo të kokave heroike kombëtare, merret një vendim modest, për të folur dhe treguar thjesht atë prej së cilës rrethohemi, jetesën e përditshme, duke vendosur në qendër të vëmendjes një lagje të vetme.
Një oaz i avashtë, nën zhurmën e pompave të ujit dhe cicërimave të dallëndysheve.
Ky aktivitet është mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit