“Shqipëria 1921” nga Eugène Pittard – Punëtori & Ekspozitë Fotografike
Shqipëria 1921 – Eugène Pittard
Punëtori & Ekspozitë Fotografike
Kubi i Kinemasë – Qendra Piramida
E martë, 16 Dhjetor 2025 | Ora 14:00
Pas suksesit të ekspozitës trejavore në COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, projekti “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard” rikthehet për publikun e gjerë shqiptar, kësaj here në një kontekst të hapur urban, në parkun e Qendrës Piramida. Ky rikthim shënon jo vetëm një zhvendosje fizike të ekspozitës, por edhe një hapje të re konceptuale drejt dialogut, edukimit dhe përfshirjes aktive të publikut.
Punëtoria e hapur, e organizuar në bashkëpunim me pedagogët Kein Katroshi, Orestia Kapidani dhe Harri Aleksi, me studentë të Universitetit New York Tirana dhe Universitetit të Arteve Tiranë, mentoruar nga kuratori i ekspozitës Elton Koritari, synon të krijojë një hapësirë reflektimi mbi fotografinë si dokument historik, si akt humanist dhe si mjet interpretimi bashkëkohor. Përmes diskutimeve, leximit të imazhit dhe ndërhyrjeve instalative, pjesëmarrësit ftohen të rishikojnë marrëdhënien mes fotografit, subjektit dhe kontekstit historik.
Vepra fotografike e Eugène Pittard përçon gjendjen njerëzore në një moment të brishtë të historisë shqiptare dhe përfaqëson një nga dëshmitë më të hershme të asaj që sot do ta quanim fotografi sociale. Në qindra imazhe, Pittard i sheh shqiptarët jo si objekte studimi të ftohtë antropologjik, por si individë me dinjitet, histori dhe prani të gjallë. Syri i tij humanist ndërton një narrativë që tejkalon dokumentimin shkencor dhe shndërrohet në një akt respekti dhe empatie.
Ekspozita në Qendrën Piramida propozon një udhëtim në kohë përmes fotografisë dhe instalacionit, duke e transportuar publikun në vitin 1921 – një moment themelor, por i pasigurt për Shqipërinë. Në këtë përvojë, imazhet nuk shfaqen vetëm si relike të së shkuarës, por si mjete për të reflektuar mbi identitetin, kujtesën kolektive dhe mënyrën se si historia vizuale vazhdon të ndikojë perceptimin tonë sot.
Kjo punëtori–ekspozitë synon të jetë një platformë e hapur ku fotografia historike takon praktikën bashkëkohore, dhe ku publiku bëhet pjesë aktive e procesit të interpretimit dhe ripërfytyrimit të së shkuarës.
Jeni të gjithë të ftuar.