
Takim mbi monografinë, ‘‘Arben Bajo – Vepra e Plotë‘‘ nga Ermir Hoxha
Të nderuar miq, me ftesë të COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri, kam kënaqësinë e veçantë t’ju ftoj në një takimin mbi monografinë, ‘‘Arben Bajo – Vepra e Plotë‘‘, një botim në formë katalogu dedikuar jetës dhe veprës së skulptorit të mirënjohur shqiptar.
Me krijimtarinë e tij, shtrirë në mbi tre dekada, autor i 10 ekspozitave personale brenda dhe jashtë vendit dhe dhjetra të tjera në grup, Bajo ishte një nga artistët më të rëndësishëm të kohës së vet, si dhe një nga zërat më përfaqësues të skulpturës shqiptare bashkohore. Me realizimin e këtij botimi, vlerësohet jo vetëm krijimtaria e tij, por dhe vetë fizionomia e skulpturës shqiptare të dekadave të fundit.
Botimi voluminoz me 420 faqe, paraprihet nga një tekst prezantues dhe shpjegues mbi krijimtarinë e Arben Bajos, disa intervista të vetë autorit dhe disa tekste kuratoriale të realizuara nga miku dhe konsulenti i botimit Prof. Gazmend Leka. Pjesa tjetër i takojnë krijimtarisë së Bajos në shtrirje kronologjike në formë katalogu.
Botimi u bë i mundur falë mbështetjes së Bashkisë Tiranë.
Duke shpresuar në prezencën tuaj ju ftoj të hënën dt. 29 shtator në orën 15.00 në Bibliotekën e Kryeministrisë.
