
Takim “Vdekja e Natyrës, nënshtrimi dhe përkujdesja” te “Berk Botime” Tiranë
Vdekja e Natyrës: e mërkurë, 30 korrik, 19:30
Përpara se të mbyllemi për disa ditë pushimesh, dëshirojmë të takohemi edhe një herë me ju, në një pasdite të hapur leximi dhe miqësimi. Në këtë kohë krize mjedisore duam të ndajmë dy libra që kanë ndikuar në debatet bashkëkohore mbi marrëdhënien e prodhimit me natyrën: “Vdekja e Natyrës” nga Carolyn Merchant dhe “Përfaqësoj tokën ku qëndroj” nga Wendell Berry, ky i fundit i botuar rishtazi prej nesh.
Këto dy vepra, megjithëse të ndryshme në stil dhe periudhë, krijojnë një continuum kuptimor: nga çrrënjosja filozofike e natyrës si një organizëm i gjallë, te qëndresa poetike ndaj shkatërrimit të saj. Gazetarja dhe aktivistja Entenela Ndrevataj do të sjellë një lexim të thelluar të librit të Carolyn Merchant, i cili eksploron mënyrën se si mendësia shkencore dhe mekaniciste e epokës moderne e shndërroi natyrën në një objekt të nënshtrueshëm, një transformim që ecën paralel me nënshtrimin e grave dhe përjashtimin e tyre nga sferat e dijes dhe fuqisë. Në pjesën e dytë, Anna Shkreli, përkthyesja në shqip e esesë së Wendell Berry-t, do të flasë mbi filozofinë e tij, që lind nga toka dhe përvoja e drejtpërdrejtë bujqësore.
Nga zhgënjimi i mendimit iluminist te urgjencat e krizës ekologjike sot, këto dy tekste ndërtojnë së bashku një histori të përbashkët shfrytëzimi dhe një shpresë të përbashkët për shërim.
Gjatë përgatitjes dhe përzgjedhjes së titullit të takimit, ishte e pamundur të mos mendonim vetvetiu për nature morte si zhanër piktorik, një zgjedhje që, në mënyrë ironike, por aspak të rastësishme, përshtatej mrekullisht si imazh përfaqësues i këtij takimi. Jo aq për cilësitë e tij estetike, sa për gërshetimin me historinë e grave në zhvillimet artistike. Në shekujt XVII dhe XVIII, artisteve gra shpesh u imponohej të punonin brenda disa zhanreve të konsideruara më “të përshtatshme” për rolin e tyre shoqëror, siç ishin nature morte, piktura e luleve dhe skenat familjare. Nature morte u shndërrua kështu në një hapësirë ku shumë gra jo vetëm që gjetën zë, por edhe sollën risi artistike, duke e ngritur zhanrin në nivele të admirueshme mjeshtërie.
Ju ftojmë të gjithëve në pasditen e datës 30!
