Java më festive e verës: Koncerte, Festivale! “Almanart” sugjeron

Shkodra me “ZA Fest”

“ZA Fest”vijon në edicionin e tij të tetë në qytetin e Shkodrës, në datat 18, 19 dhe 20 korrik 2024. Nata e parë do të mbahet në Muzeun “Oso Kuka” Shkodër me muzikë e filma, ku hyrja do të jetë e lirë. Nata e dytë do të mbahet në Kalanë e Rozafës dhe ku do të këndojnë Ylli Limani, BimBimma apo Elsa Raqi, për të vijuar me natën e tretë me Pablo Reyes nga “Gipsy Kings”, Rit Folk, Vlashent Sata dhe Makari Trio. Një festival me muzikë argëtuese, që gjallëron muret e Kalasë unike të Shkodrës.

“Lumina Electronic Music Festival” Korçë

Korça tashmë i bashkohet trendit të festivaleve të muzikës techno me “Lumina Electronic Music Festival” që do të mbahet te Parku “Rinia” me praninë e DJ të mirënjohur kombëtar e ndërkombëtar si Burak Yeter, Alex Gusta apo Zaava, në datat 19 e 20 korrik 2024. Hyrja do të jetë e lirë. Për ata që duan t’i ikin vapës së qyteteve, kjo do të ishte një mundësi e mirë për të kaluar fundjavën.

Tirana me muzikë latine, koncerte dhe patjetër 4 festivale techno. Lum Tirana!

Të hënën do të mbahet koncerti me këngëtaren Ivi Adamou, artistja e famshme greke së bashku me Stavento, në “Spectapolis Tirana”, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, ku hyrja do të jetë e lirë. Gjithashtu do të ketë dhe koncert nga Sardi Strugaj me datë 17 korrik 2024, me hyrja të lirë, pranë “Spectacolis Tirana”.

Gjithashtu në Amfiteatrin e Liqenit Artificial, në datat 15 e 16 korrik 2024, do të mbahet “Festivali Ndërkombëtar i Folkut Tirana” në edicionin e katërt, ku do të ketë trupa të ndryshme ansamblesh të muzikës popullore vendase e të huaj për të përshfaqur muzikën tradicionale. Hyrja do të jetë e lirë.

Në Tiranë fundjava nis të enjten, ku do të mbahet “Brujula Fest” pranë zonës së Liqenit Artificial. Do të ketë muzikë, pikturë, aktivitete të mirëqenies, aktivitete të tjera argëtuese përgjatë pasdites e mbrëmjes.

“Hemingway Bar” do të organizojë “Hemingway Jazz Fest – Viva la musica” që do të mbahet në datat 19, 20 e 21 korrik 2024, pranë kopshtit të “Universitetit Politeknik”. Tonino Carotone with Cesare Dell’Anna & Opa Cupa, Nik West apo dhe London Afrobeat do të interpretojnë për publikun shqiptar në edicionin e njëmbëdhjetë të këtij festivali.

Te “Muzeu i Forcave të Armatosura” do të mbahet “Toga Fest”, me muzikë techno, ku do të luajnë DJ të huaj apo vendas, të premten e datës 19 korrik 2024.

Te Sarajet e Toptanasve, do të mbahet “Sounds of Tirana” me DJ të ndryshëm, ndërkombëtar e lokalë, për të shijuar një monument kulture nën tingujt e muzikës techno e elektronike, në qendër të qytetit.

Për ta mbyllur me “The Hypnotic State of Beatnik”, festivalin që do të zhvillohet më 20 korrik 2024, pranë Parkut “Evropa” në qendër të qytetit. DJ të rinj e të mirënjohur vendas e të huaj, do të performojnë në Tiranë për publikun shqiptar, ku hyrja do të jetë e lirë.

Almanart