“KREJT E THIRRIN REXHEN” nga Ibër Deari hap Tirana European Youth Film Festival, Edicioni i 4

Rexha është përzgjedhur të hapë edicionin e sivjetshëm të Tirana European Youth Film Festival (TEYF).
📅 4 Qershor 2026
🕘 Ora 21:00
📍 Agimi Art Center, Tiranë

Në një fshat fiktiv në Maqedoninë e Veriut me përplot elemente imagjinare, realiteti i vetëm janë problemet që zbërthehen në rrëfimin e filmit “Everybody calls Redjo”. Komedia, drama e romanca shpesh çojnë në rrëfime përplot sfida në fshatin pak të banuar të kryepersonazhit. Ai është simbol i vazhdimësisë dhe përkushtimit në filmin nën regji të Ibër Dearit, i cili skenarin e ka shkruar bashkë me Artin Selmanin.
Në dy orë e gjashtë minuta të filmit të gjatë artistik, të gjithë e thërrasin Rexhën, kryepersonazhin e projektit që tashmë është lansuar në Prishtinë, Shkup e Tiranë, dhe jo vetëm.

Efektet e migrimit drejt vendeve evropiane flasin me heshtjen e fshatit të ashtuquajtur Sllupkovë. Rexhep Nushi, që luhet nga aktori Afrim Muçaj,  mbetet i vetmi person që kujdeset për të gjitha llojet e punëve në fshat. Kjo është rutina e tij në film, por ai shpesh përballet me të papritura që zbulojnë histori të thella, por edhe të thjeshta, ku secili mund ta gjejë veten.

Filmi shpesh e lë rrëfimin në gjysmë e ngjarjet që ndodhin nuk rrëfehen deri në fund dhe kjo e bën më të dëshirueshëm atë për t’u eksploruar. Ditët e Rexhës zbardhin me oferta pune. Gjatë rrugëtimit, kryepersonazhi përballet me tradicionalitetin autentik të familjeve shqiptare.

Në film luan edhe Ledion Mulaku në kastin kryesor bashkë me Matoshin e Muçajn si dhe aktorët Bereda Reshit, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Sara Bajrami, Bujar Ahmeti, Labinot Raci, Daniela Markaj, Blerim Ismani, Nehat Memeti, Muzafer Etemi, Blerim Dardhishta, e të tjerë. Producent i filmit është Sasho Pavlovski.

Në fund të rrëfimit, familja triumfon ndaj sfidave që hasin. Një rrugëtim në paqe për në det e përmbyll rrëfimin plot dinamika të filmit “Everybody calls Redjo”.

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.