Titullohet “Shihemi në gusht”. Fillimisht do të dalë në vendet anglishtfolëse bëhet me dije nga shtëpia botuese Penguin Random House
Pas dhjetë vitesh vetmie, një roman pas vdekjes dhe i pabotuar i shkrimtarit kolumbian Gabriel García Marquez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 1982, do të dalë në treg më 12 mars 2024. Titulli origjinal është En Agosto nos vemos (Shihemi në gusht), dorëshkrimi i të cilit ruhet në Qendrën Harry Ransom në Austin, Teksas. Romani, nga i cili autori i “Njëqind vjet vetmi” kishte botuar disa fragmente gjatë jetës së tij në El País dhe The New Yorker, u ble nga shtëpia botuese Penguin Random House, e cila njoftoi se vepra e pabotuar do të botohet në vendet anglishtfolëse më 12 mars.
Libri, i cili do të titullohet në anglisht “Until August”, është përshkruar nga botuesi si “një përrallë e jashtëzakonshme dhe e thellë e lirisë dhe dëshirës femërore”.
Nga fundi i jetës së tij, García Marquez po punonte për një roman të ri, ndërkohë që luftonte njëkohësisht me demencën senile. Në ditët e fundit të jetës së tij dhe me kujtesën e tij të zbehur, ai vendosi që kjo vepër e re të mos botohej pas vdekjes së tij. Tani, pothuajse 10 vjet pas vdekjes së tij, djemtë e Marquez, Rodrigo dhe Gonzalo García Barcha, kanë vendosur të botojnë librin.
“Është rezultat i përpjekjes së fundit të babait tonë për të vazhduar të krijojë kundër të gjitha gjasave. Duke e rilexuar pothuajse dhjetë vjet pas vdekjes së tij, zbuluam se teksti kishte cilësi shumë të këndshme dhe asgjë nuk na pengon të kënaqemi me aspektet e jashtëzakonshme të punës së Gabos: aftësia e tij për trillim, gjuha e tij poetike, rrëfimi i tij magjepsës, humanizmi i tij dhe dashuria e tij për përvojat dhe fatkeqësitë tona, veçanërisht në dashuri, ndoshta tema kryesore e gjithë veprës së tij”.
Romani flet për një grua të quajtur Ana Magdalena Bach, e cila viziton një ishull tropikal çdo vit në përvjetorin e vdekjes së nënës së saj. Udhëtimi bëhet një mundësi për t’i shpëtuar një jete të zakonshme: në atë ishull Ana Magdalena mund të eksplorojë lirinë, keqardhjen dhe misteret e dashurisë.
Garcia Marquez vdiq më 17 prill 2014, në moshën 87-vjeçare.