Eventet e rekomanduara të muajit nëntor 2025
Magjia e epokës romantike rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) me një nga baletet më të dashura dhe më poetike të repertorit klasik “La Sylphide”.
Në këtë vepër delikate, publiku udhëton mes ëndrrës dhe realitetit përmes historisë së James, një djalosh që në mëngjesin e ditës së dasmës zgjohet nga një puthje misterioze, ajo e Sylphide, krijesës së ajrit që e fton në botën e saj të padukshme. I ndarë mes dashurisë tokësore për të fejuarën Effie dhe joshjes qiellore të Sylphide-s, James bie pre e pasionit dhe fatit tragjik që i përgatit shtriga e vjetër Madge. Në përpjekje për ta mbajtur përjetë pranë, ai i dhuron Sylphide-s një shall të helmuar, duke e shuar përgjithmonë.
Ky balet përfaqëson një nga kulmet e romantizmit, ku iluzioni, dashuria dhe fati përzihen me mjeshtëri përmes vallëzimit klasik. Versioni që ngjitet në skenën e TKOBAP-së është koreografia e August Bournonville, me muzikën e ndjeshme të Herman Severin Løvenskiold, e cila nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja merr jetë përmes interpretimit të trupës së baletit dhe Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së.
Me elegancën e saj të përjetshme, La Sylphide është një ftesë për të besuar në magjinë e artit dhe ndjenjave që vallëzojnë përtej realitetit.
📅 Datat: 3, 4, 5 Nëntor
🕗 Ora: 20:00
📍 Vendndodhja: Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit
Një mbrëmje ku baleti bëhet përrallë dhe ëndrra vallëzon mbi skenë.
Informacionet që ju interesojnë lidhur me artin & kulturën, i gjeni pranë “Almanart”!



