Lexojmë: “Gjakime kthimesh, gjakime ikjesh” nga Kristoffer Leandoer

VENDI ME DY KRENA

(Kapitull i shkruar posaçërisht për botimin shqip)

Shqipëri, emri me të cilin e thërrasin vendin e vet shqiptarët, do të thotë mbretëri e shqiponjave dhe shqiponja është zogu kombëtar i vendit. Zogu në flamur, megjithatë, nuk është shqiponjë, por një zog heraldik i mitologjisë: shqiponja me dy krena. Flamuri shqiptar e mpreh vështrimin njëkohësisht në dy drejtime, gjë që i përshtatet mirë një kombi që ka qenë dhe mbetet gjithmonë një ëndërr me dy kahe.

Shqipja është gjuhë amtare e gjashtë milionë shqiptarëve. Numërimi i radhës i popullatës nuk është bërë ende, por, afërmendsh, vetëm një e treta e saj jeton brenda kufijve të tashëm të shtetit të Shqipërisë. Shqipja është folur që në kohë të lashta, por gjuha e shkruar u njësua vetëm në vitin 1908. Në një konferencë në Maqedoninë e sotme të Veriut u vendos që, me disa ndryshime të vogla, si për shembull dublimi i l-së dhe r-së, të përdorej alfabeti latin, i cili deri atëherë ishte përdorur më së shumti nga katolikët shqiptarë, ndërkohë që besimtarët ortodoksë kishin përdorur alfabetin grek a cirilik dhe myslimanët kishin preferuar atë arab.

Jashtë Shqipërisë nuk u vendos vetëm alfabeti. Kombit ia morën masën dhe e copëzuan Fuqitë e Mëdha të Europës. Në Londër, në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913, iu shkëputën vendit pjesë të tëra: Rrafshi i Dukagjinit, Kosova, pjesë të Maqedonisë… Ironikja është se e bënë me synimin që të ruanin paqen në Europë dhe të lehtësonin tensionet e Ballkanit. E pra, e dimë si i shkoi puna e paqes.
“Termi Shqipëri, më shumë se një sipërfaqeje të kufizuar qartë, i referohet një zone të papërcaktuar”, -thotë Cambridges Concise History of Albania. Edhe turqit e mendonin kështu, ndaj e quajtën Arnavutluk, një zonë ku ka shqiptarë.
Shqipëria mund të mbijë gjithkund.
Gazeta e parë në gjuhën shqipe u shtyp në SHBA. Lufta për pavarësi e gjeti burimin intelektual jashtë vendit, në revista dhe gazeta të shtypura në Itali, në Rumani, në SHBA. Diaspora vendosi bazat për një gjuhë të përbashkët që do të kapërcente dallimet dialektore. (Në epokën e komunizmit shqipja u standardizua përfundimisht në një kongres të vitit 1972.) Ëndrra për Shqipërinë ishte ëndrra e rikthimit, identiteti kombëtar përcaktohej nga jashtë, etërit e kombit importoheshin.
Kështu ka qenë gjithmonë.
Thuhet se Skënderbeu, heroi kombëtar që në shekullin XV i rezistoi për njëzet vjet pushtimit turk duke u konsideruar si shpëtimtari i Europës, qe i pari i cili mblodhi prijësit e klaneve në një qëndresë të bashkuar kombëtare. Unë vetë u kam treguar vizitorëve të devotshëm se si mbretëria e tij ishte e organizuar kaq mirë, sa kur afrohej rreziku ndizeshin varganë flakadanësh sinjalizues nga veriu në jug. Skënderbeu quhej në të vërtetë Gjergj Kastrioti. I ati e dërgoi si peng në oborrin e Sulltan Muratit II, ku u edukua. Turqit e quajtën Iskander bej, zoti Aleksandër – po aq i zoti në fushë të betejës sa Aleksandri i madh.

Mbas vdekjes së Skënderbeut, ushtria e tij u arratis në Itali. Pasardhësit e tyre, arbëreshët, jetojnë edhe sot si popullsi me gjuhë të vetën. Një grup i tillë në Greqi, i shpërngulur në mesjetë, quhen arvanitë, kurse në Turqi arnautë. Ata ikën nga vendi i vet në grupe kaq të mëdha, sa vendit pritës iu desh të gjejë një emër të veçantë për ta. Por edhe mbas pesëqind vjet mërgimi janë ende shqiptarë. Pesëqind vjet më vonë, rikthehet trauma kombëtare e shpërnguljes me forcë nga lufta, shtypja, varfëria. Skenat e njohura të lajmeve, me anije të stërmbushura me emigrantë në portin e Durrësit, janë sot lëndë për vepra letrare. Shpërngulja masive në panik e viteve ’90 rrëfehet në skena të ngjashme nga Fatos Kongoli, Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Pajtim Statovci dhe Lea Ypi: ekzili është eksporti më i madh i letërsisë shqiptare.
I mbajnë sytë nga shtëpia kur janë larg, i mbajnë sytë larg kur janë në shtëpi.
Gjatë 450 viteve të pushtimit turk nuk u lejua shkollimi në shqip. Qëllimi ishte të harrohej se kishin një gjuhë, se ishin një popull, se kishin një histori. Por vala e nacionalizmit që përfshiu Europën me revolucionin francez, e përfshiu edhe Shqipërinë, aq sa më 1885 sulltani e pa të nevojshme të ndalojë prodhimin e gjithë librave dhe gazetave në Shqipëri dhe të urdhërojë hoxhallarët vendës që të shpallin fetfa kundër tyre. Shkolla e parë shqipe u hap në Korçë vetëm më 1887.
Sot, artisti më i njohur i vendit, Adrian Paci, banon në Itali. Këngëtarja pop më e njohur, Dua Lipa, banon në Londër, po ashtu shkrimtarja e re më e njohur, Lea Ypi. Kufijtë nuk kanë shumë domethënie për Shqipërinë. Iket për të studiuar, për të mësuar një mjeshtëri, për të fituar para. Kthehesh dhe ndërton shtëpi. Qeveria ka banuar jashtë vendit. Vreshtarët, artistët, muzikantët kanë banuar jashtë vendit.

Nuk është se kthehen të gjithë. Popullsia tkurret. Ikja jashtë konsiderohet problemi më i madh i vendit. Të rinjtë nuk shohin të ardhme në vend: rrogat janë të ulëta, situata e pasigurt. Kryeministri, Edi Rama, i cili edhe vetë ka jetuar si artist në Francë, e konsideron këtë prirje si normale, për sa kohë që kthehen dhe e pasurojnë vendin me perspektiva të reja. Pse kështu ka qenë edhe më përpara. Poeti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Lasgush Poradeci, studioi dhe botoi më së shumti jashtë, por nuk e braktisi kurrë liqenin e Ohrit: solli me vete aty si letërsinë botërore, ashtu edhe kozmosin.


Si ta kishte vendosur që nga fillimi se do të personifikonte ndërrimin e shekujve, Lasgush Poradeci u lind më 27 dhjetor 1899 si Llazar Gusho, në Pogradec, një qytet i vogël shqiptar në bregun jugor të liqenit të Ohrit. Domethënë i përkiti shekullit XIX për disa ditë. Lindi kur simbolizmi europian ishte në kulmin e vet dhe mund të shihet si përfaqësuesi i tij i fundit: Lasgush Poradeci në Shqipëri përfaqëson skajin më të largët kohor e hapësinor që mbërriti simbolizmi si rrymë letrare. Bashkë me Migjenin (1911-1938), një poet nga qyteti shqiptar verior i Shkodrës që vdiq herët nga tuberkulozi, përfaqëson kulturën e veçantë në kohën e ndërrimit të shekujve, të karakterizuar nga takimi i dekadencës me ëndrrën, distancimit me angazhimin shoqëror: nga njëra anë, identifikimi aktiv i Migjenit me të varfrit, të dëbuarit e të poshtëruarit, lypësit e prostitutat; nga ana tjetër, Lasgush Poradeci, me panteizmin e vet kozmik, në një qoshe të përgjumur të vendit. Poradeci e botoi shumicën e poezive në vitet njëzet, në dy përmbledhje që përbëjnë pjesën kryesore të krijimtarisë së tij, Vallja e yjeve në vitin 1933 dhe Ylli i zemrës në vitin 1937, të dyja të botuara në një shtëpi botuese shqiptare në mërgim, në Rumani.

Fq.359-363

Për të blerë librin klikoni më poshtë:

Almanart-e-Book-Summer-Festivals
Almanart