Pasazh nga libri
“Trouble Man e Marvin Gaye-t luhej pa pushim ndërkohë që mundohesha të shkruaja për Arthur Rimbaud-në. Ngjita një fotografi të tijën me fytyrën kryeneçe si të Dylan-it sipër skrivanisë që e përdorja rrallë. Në vend të saj, shtrihesha në dysheme dhe nuk shkruaja asgjë veç fragmentesh, poezish dhe fillimit të një pjese teatri, një dialog imagjinar mes vetes dhe poetit Paul Verlaine, duke u zënë për dashurinë e paarritshme të Arthur-it.
Një pasdreke më zuri gjumi përtokë mes pirgjeve me libra e me letra dhe u riktheva në truallin e njohur të një ëndrre të përsëritur apokaliptike. Kishte tanke të veshur me pëlhura xixëlluese e me këmbora gamilesh varur. Engjëjt myslimanë e të krishterë kacafyteshin me njëri-tjetrin, duke i mbuluar dunat e trazuara me pupla të shkulura. Çava udhën përmes revolucionit e dëshpërimit dhe gjeta të rrënjosur në tradhtinë e pemëve të vyshkura, një cilindër lëkure. Dhe brenda asaj kutie në kalbje e sipër, në dorëshkrim origjinal, veprën e madhe të humbur të Arthur Rimbaud-së.”
KALAMAJ
Patti Smith është autore, performuese e artiste pamore. Fitoi fame në vitet 1970 për shkrirjen revolucionare që i bëri poezisë me rock-un. Albumi i saj madhor, Horses, stolisur me fotografinë e mirënjohur të Robert Mapplethorpe-it në ballinë, radhitet ndër njëqind albumet më të mira të të gjitha kohërave. Ka incizuar dymbëdhjetë albume.
Smith çeli ekspozitën e parë me vizatime në Gotham Book Mart më 1973 dhe përfaqësohet nga Galeria Robert Miller qysh prej vitit 1978. Mes librave të saj numërohen Witt, Babel Woolgathering, The Coral Sea, M Train, Year of the Monkey dhe Kalamaj, që fitoi Çmimin Kombëtar të Letërsisë më 2010.
Në vitin 2005, iu akordua prej Ministrisë franceze të Kulturës, titulli prestigjoz i Komandares së Arteve e Letrave, dekorata më e lartë që u jep artistëve Republika Franceze. U përfshi në Rock and Roll Hall of Fame më 2007.
Smith u martua me të ndjerin Fred Sonic Smith në Detroit, më 1980. Patën një djalë, Jackson-in, dhe një vajzë, Jesse-n. Smith banon në qytetin e New York-ut.



