ISHA PESËMBËDHJETË MINUTA ME VONESË dhe numri i tij i telefonit ishte jashtë shërbimi.
Edhe pse fund janari, Parku i Sheshit Uashington pulsonte me një energji vere. Lojtarët e shahut ishin të përqendruar në lëvizjet e tyre, nën tingujt e Gershwin-it. Qeni i racës Great Dane i saksofonistit po vdiste të shkonte në zonën e dedikuar per kafshët. Ishte Alfredi ai që kishte sugjeruar të takoheshim aty, pranë monumentit të Garibaldit, një emër që të sillte ndër mend copëza të shkëputura të Italisë, të ngjitura së bashku.
Ishte një lojë kujtese imja që nga koha e gjimnazit; Garibaldi ishte personi pergjegjës për bashkimin e Italisë.
Por Alfredi nuk dukej kurrkund. Dy burra ulur në një stol aty pranë nuk përputheshin me përshkrimin e tij. Ai duhej të ishte vetëm. Agjencia dërgonte fotografi, që rrallë merrja mundimin t’i hapja. E kisha të lehtë t’i njihja klientët e mi nga pamja pritëse, sjellja e përulur, shenjat e lodhjes dhe stresit që shfaqeshin në fytyrat dhe trupat e tyre. Po më çudiste fakti që telefoni i tij ishte jashtë shërbimi. Mos më kishin dërguar numrin e gabuar? Zhurmë hapash. Një vogelushe me kepucet që i kërcisnin u përplas pas meje, ndjekur nga i ati, i cili e teproi pak me ndjesën e kërkuar. Dy djem, me nje minidron, vrapuan drejt shatërvanit të zbrazët.
Mbi veprën dhe shkrimtaren
Alfredi, një i mbijetuar i torturës nga Kosova, kërkon një përkthyes që ta ndihmojë gjatë seancave të terapisë. Narratorja e romanit, një përkthyese pa emër, pranon me hezitim. Por rrëfimi i Alfredit për përjetimet e tij të tmerrshme zgjon kujtime të fshehura, që nisin të ndikojnë në psikikën e saj, duke e shtyrë të vërë në dyshim martesën dhe vendin e saj në botë.
Është historia e një gruaje që gjendet midis të shkuarës së saj shqiptare dhe të tashmes në Nju Jork. Një vepër që sfidon kufijtë mes komunikimit dhe heshtjes.
Ledia Xhoga me romanin “Keqkuptimi” ka hyrë në listën e të nominuarve për çmimin prestigjioz “Booker Prize 2025”, duke u bërë shkrimtarja e dytë shqiptare që nominohet pas Ismail Kadaresë.
Gjithashtu, romani ka fituar Çmimin e Librit të Qytetit të Nju Jorkut dhe është shpallur finalist për Çmimin e Romanit të Parë në Center for Fiction në Bruklin.