Lexojmë: “Kronikë e një vdekjeje të lajmëruar” nga Gabriel García Márquez

Ditën kur do ta vrisnin Santiago Nasari u çua më 5.30 të mëngjesit për të pritur anijen me të cilën vinte ipeshkvi. Kishte parë ëndërr sikur çante nëpër një pyll higeronesh, ku breronte një shi i imët e i butë dhe për një çast, në ëndërr, qe lumturuar, por kur u zgjua e ndjeu veten të stërpikur i tëri me glasa zogjsh. “Gjithnjë shihte në ëndërr pemë”, më tha Plasida Lineroja, e ëma, duke sjellë ndër mend 27 vite më vonë hollësitë e asaj të hënë të zezë. “Një javë më parë kishte parë ëndërr sikur udhëtonte i vetëm në një aeroplan varaku që çante pa u përplasur midis pemësh bajameje”, më tha. E mbanin ustalleshë të zonjën për të shpjeguar ëndrrat e të tjerëve, gjithnjë me kusht që t’i tregoheshin esëll, por nuk kishte dalluar asnjë ogur të lig në dy ëndrrat e të birit, as në ëndrrat e tjera me pemë që ai i kishte treguar mëngjeseve para vdekjes së tij.

As Santiago Nasari nuk e kuptoi paralajmërimin. Kishte fjetur keq dhe pak, pa i hequr teshat, dhe u zgjua me dhembje kryeje e me një fundërri llurbe bakri në qiellzë, të cilat i shpjegoi si pasoja të natyrshme të zdërhalljes së dasmës që kishte vijuar deri pas mesnate.

Jo vetëm kaq: personat e shumtë që takoi qysh se doli nga shtëpia më 6.05 deri kur u shkua në thikë si thi një orë më vonë, e mbanin mend pakëz të përgjumur, por në qejf, dhe të gjithëve u tha në bisedë e sipër se qe ditë fort e bukur. Askush nuk ishte i sigurt në e kishte pasur fjalën për motin. Kishte shumë që e mbanin mend si një mëngjes rrezellitës, me një puhi deti që mbërrinte përmes bananishteve, siç ta donte mendja të kishte qenë në një shkurt që duhej të kishte mbajtur mirë asokohe. Porse shumica binin në një mendje se bënte një mot i përzishëm, me qiell të turbullt e të ulët dhe me një kutërbim ujërash të ndenjura dhe se në çastin e fatkeqësisë po binte një shi i imët si ai që kishte parë Santiago Nasari në pyllin e ëndrrës. Unë po merrja veten nga zdërhallja e dasmës në prehrin apostolik të Maria Alehandrina Servantesit dhe mezi u zgjova nga poterja e kambanave që binin me të madhe, pasi pandeha se binin për nder të ipeshkvit.

Santiago Nasari mbathi një palë pantallona dhe veshi një këmishë linoje të bardhë, të dyja të pakollarisura, të njëjta me ato që kishte mbajtur një ditë më parë…

Almanart