Kush jam unë, pyet vetmevete, sado vagull. Nuk di si ka ardhur këtu, nuk i kujtohet. Madje as emri i vet nuk i kujtohet. Gjithçka që sheh, ose që nuk sheh, po vetëm e vegon, është e mbështjellë me mjegull, me një mjegull shumë të bardhë, a thua prej drite. Sipër kësaj mjegulle, që rri pezull në njëfarë lartësie, është një tjetër botë, e padukshme së poshtmi, dhe ai vetëm e vegon. I bëhet se sheh grumbuj shtëpish të bardha, majë një shkrepi, në një rrafshirë të ngushtë dhe paksa të pjerrët, çudi si ndodhen atje lart dhe si qëndrojnë. Pastaj e sheh veten mes atyre shtëpive, ose më mirë në një shesh me një pemë të moçme dhe me një monument, një bust prej gipsi që i kujton veten. Kush jam unë, pyet sërishmi vetmevete, ose ashtu i bëhet. Largohet s’andejmi si i trembur dhe futet në një rrugicë me kalldrëm. Fshati, se fshat po duhet të jetë ai grumbull shtëpish në mal, në malin e një bote tjetër dhe nën një ndriçim verbues, është i zbrazët, i shkretuar, ai ka vënë re sakaq se nuk i kanë zënë sytë njeri. Ik e ik në rrugica të njëpasnjëshme, midis muresh të bardha pa dyer dhe përmes kthesash përherë e më të shpeshta, dhe a thua kthehet sërish e sërish në të nje rrugicë, që është ajo ku ka hyrë më së pari dhe s’është po ajo, sepse nuk po dilka dot nga ai labirint…
E ka quajtur çelës në mendje të vet labirint, dhe kjo fjalë, çelës magjik po çelës, për një korridor me dyer të panumërta ose pa dyer, po e çon gjetiu, te një ëndërr që ka parë dikur, dhe nuk di nëse është në një ëndërr të përsëritur apo midis një ëndrre dhe një zhgjëndrre, nëse tashmë ndodhet në botën e të vdekurve, apo është kthyer nga bota e të vdekurve… Le të themi se është në një gjendje të ndërmjetme, se po i del narkoza, në një dhomë spitali me shtretër të zbrazët, me një ndriçim zbardhëllyes që vjen nga një burim i padukshëm, fluoreshencë neoni apo dritë natyrore që hyn përmes dritaresh të mëdha, të padukshme për të, i palëvizshëm në një shtrat. Efekti i narkozës nuk i ka dalë dhe, si i thithur ngadalë dhe pandalshëm nga një vorbull, zhytet në diçka si brendësira e një pasqyre, nën një syprinë të ujshme drite dhe mjegulle, dhe i shfaqet sërishmi e njëjta gjë, bota tjetër përtej mjegullës, atje lart, veçse tani i bëhet se është në një film… Kush jam unë, pyet vetmevete për të satën herë, ose, le të themi, kështu do të mund të formulohet gjendja e tij e vagullt e shumëfishimit të vetvetes ashtu si në dy pasqyra kundruall njëra-tjetrës.

Për të blerë librin klikoni më poshtë: