Lexojmë “Roman natyral” nga Georgi Gospodinov

lexojmë romani natyral shqip 2025

Në çdo sekondë në këtë botë ka një varg të gjatë njerëzish që qajnë dhe një më të vogël që qeshin. Por, ka edhe një varg të tretë, që nuk qan dhe nuk qesh më. Më i trishtuari nga të tre. Për këtë dua të flas…

Po ndahemi. Në ëndërr ndarja është e lidhur vetëm me largimin nga shtëpia. Në dhomë gjithçka ështe e paketuar, kutitë kanë arritur tavanin, megjithatë ka ende hapësirë. Korridori dhe dhomat e tjera janë të mbushura me kushërinj – të mitë dhe të Emës. Diçka pëshpërisin, mërmërisin dhe presin të shohin se çfarë do të bëjmë ne. Me Emën qëndrojmë pranë dritares. Ka mbetur të ndajmë vetëm një grumbull me pllaka gramafoni. Papritur ajo nxjerr nga zarfi pllakë e parë nga grumbulli dhe e flak me forcë në dritare. Kjo është e imja, thotë. Dritarja është e mbyllur, por pllaka kalon përmes saj si në ajër. Une nxjerr instinktivisht tjetrën dhe gjithashtu e hedh. Pllaka sillet si një pjatë fluturuese, rrotullohet rreth boshtit të saj si të ishte sipër gramafonit, vetëm se më shpejt. Dëgjohet fishkëllima e saj. Diku mbi kazanët e plehrave i drejtohet kërcënueshëm një pëllumbi të pistë që fluturon ulët. Për një çast duket se përplasja do të shmanget, por menjëherë pas kësaj shikoj i tmerruar se si buza e mprehtë e pllakës ngulet butë në qafën e tij te dhjamosur. Gjithçka ndodh me një ritëm të ngadalësuar dhe kjo e shtron  më shumë tmerrin. Dëgjohen fare qartë disa tone të ulëta ndërsa pllaka i pret qafën. Kocka e mprehtë e fytit të pëllumbit nxjerr një tingull, për një çast, kur rrëshqet mbi pistën e pllakës së gramafonit. Vetem fillimin e melodisë. Një këngë. Nuk më kujtohet.”Les parapluies de Cherbourg?” ” Oh Paris?” “L’Auberge des Trois Canards?” Nuk më kujtohet. Por muzikë kishte. Koka e prerë vazhdon të fluturojë për inerci edhe disa metra, ndersa trupi rrëzohet butë në pluhurin afër kazaneve. Gjak nuk ka.

Në ëndërr gjithçka eshtë jashtëzakonisht e qartë. Ema përkulet dhe hedh pllakën tjetër. Pastaj unë. Ajo. Unë. Ajo. Me çdo pllakë persëritet ajo çfarë ndodhi me të parën. Trotuari poshtë dritares ështe plot me koka zogjsh, gri, të njëllojtë, me kapakët e mbyllur të syve. Për çdo kokë që bie, kushërinjtë pas nesh duartrokasin fort. Macja qëndron në dritare dhe lëpihet me lakmi.

U zgjova me një dhimbje në fyt. Në fillim mendova t’ia tregoj Emës ëndrrën time, por pastaj ndërrova mendje. Thjesht, një endërr.

Mbi librin

Një roman i pazakontë : i drejtpërdrejtë, tronditës, ironik. Pas një ndarjeje të dhimbshme dhe lajmit se gruaja e tij pret një fëmijë nga një tjetër, një burrë përpiqet të rindërtojë jetën  dhe veten  përmes shkrimit. Por si mund të tregohet një histori personale, kur ajo vetë është e patregueshme? “Roman natyral” është një rrëfim i çuditshëm dhe i çiltër, ku bashkëjetojnë dashuria, braktisja, humori absurd dhe kujtimet më intime. Një burrë që bëhet endacak për të shkruar për një endacak. Një botë e parë nga sytë e mizave. Një histori tualetesh që bëhen vende lirie në diktaturë.

Një roman që sfidon rregullat e rrëfimit dhe na kujton se bukuria qëndron te dyshimi. Autori shkruan : “Do të doja që të thuhej: Ky roman është i bukur sepse është i thurur me dyshime.”  Një nga romanet më të veçantë dhe më të guximshëm të letërsisë bullgare bashkëkohore.

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.