Lexojmë “Tangoja e Satanait” nga Laszlo Krasznahorkai

tangoja e satanait Laszlo Krasznahorkai

Lajmi i mbërritjes së tyre


Një mëngjes fundtetori, jo shumë kohë përpara se mbi truallin e plasaritur e të njelmët në perëndim të vendbanimit të fillonte rënia e pikave te para te shirave të pafundme e të pamëshirshëm vjeshtore (deti i qelbur i llucës së krijuar do t’i bënte më pas të papërshkrueshme monopatet fushore, duke asgjësuar kësisoj çdo lloj mundësie për të shkuar nl qytet deri në kohën kur t’ia behnin ngricat e para), Futaki u zgjua nga gjumi prej tingujve të një kambane. Kishëza më e afërt gjendej katër kilometra larg, kah jugperëndimi, pranë vilës së vjetër Hohmais, por gjithsesi bëhej fjalë për një gërmadhë vetmitare, e cila përveçse nuk kishte kambanë, ishte edhe pa kambanore, pasi qe shembur gjatë luftës, teksa qyteti ishte tepër larg prej atje, që të mund të arrinte çdo lloj tingulli.

Megjithatë, ata tinguj buçitës e ngadhënjyes, më shumë se nga ushtima e largët e një kambane, dukeshin se vinin nga shumë afër (“Ndoshta nga mulliri…”), a thua se po mbarteshin prej erës. Mbështeti bërrylat mbi jastëk, që të mund të vështronte jashtë nëpërmjet asaj vrime të vogël që shërbente si dritare për kuzhinën, po përtej xhamit gjysmë të mjegulluar, i kredhur në kaltërsinë e lehtë të agimit, dhe i mbështjellë nga tingujt e kambanave që përhapeshin dalëngadalë, vendbanimi vazhdonte të mbetej i palëvizshëm dhe i heshtur: nga shtepitë që gjendeshin në anën tjetër, në largesi të dukshme midis tyre, vetëm te dritarja e njërës nga ato fekste një dritë e zbehtë që matanë perdes, ajo e doktorit thjesht për faktin se ai që banonte aty e kishte të pamundur qe prej vitesh të flinte me dritë fikur.

Futaki mbajti frymën sepse nuk donte ta humbiste asnjë prej atyre tingujve që dallgëzonin e hapërdaheshin në plimin e kambanave, por edhe sepse donte të kuptonte se çfarë po ndodhte me të vërtetë (“Sigurisht, ti je ende duke fjetur, Futaki..”), po për ta bërë këtë i duhej të mblidhte çdo tingull, edhe atë më të veçuarin apo më të largëtin. Duke levizur me hapat e tij të lehtë dhe duke shepuar mbi pllakat e ngrira të kuzhinës, mbërriti te dritarja (“Si është e mundur që nuk ka asnjeri zgjuar? Askush nuk i dëgjon këta tinguj? Askush tjetër?”), hapi dritaren dhe zgjati kokën jashtë.

U ndje i përmbytur prej një ajri të lagësht e fshikullues, aq sa për një hop iu desh të mbyllte sytë që të përgjonte tërë atë heshtje, e cila qe bërë edhe më e thellë nga kenga e një këndesi, nga lehjet e qenve dhe nga fërshëllima e erës së mprehtë e të pamëshirshme, e cila ia kish nisur pak minuta më parë; nuk arrinte të dëgjonte më gjë prej gjëje, perveç rrahjeve të mbytura te zemres së vet, a thua se gjithçka paska qenë thjesht një lojë fantazmash mes asaj ëndrre kotulluese (*…sikur dikush përpiqej të m shtinte tmerrin”). Vështroi me trishtim qiellin e shkretuar, mbeturinat e zharitura të verës, shenjuar nga vërshimi i karkalecave, dhe papritmas në degën e vetmuar të një akacieje shqoi kalimin e pranverës, verës, vjeshtës e të dimrit, teksa iu bë sikur ndjeu tërë plotëninë e kohës si një mashtrim komik në sferën e palëvizshme të amshimit, që përshkon pavijueshmerinë e kaosit duke krijuar shtirjen satanike të një perudhjeje drejtvizore, nëpërmjet një narrative të rreme absurdin si diçka të nevojshme…

Mandej e pa veten mbi kryqin e djepit e të qivurit, teksa me mundim orvatej për t’u gjendur, falë një rregulli të pakundërshtueshëm e të pashmangshëm, krejtësisht cullak – pa kurrfarë shenje njohëse apo dalluese – në duart e varrmihësve, mes ngërdheshjeve të atyre kensave aq shumë të zënë në punë me të vdekurit, ku nuk ishte në gjendje ta përkthente dot masën e të gjitha gjërave njerëzore pa një trohe mëshire, pa një monopat që do të mund ta rikthente pas, sepse kësisoj do mund të bëhej i vetëdijshëm për faktin se kish luajtur me hile kundër dikujt, ndaj të cilit e kishte të pamundur të fitonte, duke pasur parasysh se të gjitha kartat qenë përcaktuar qysh më përpara: bëhej fjalë për një ndeshje së cilës i ish paravendosur rezultati, e në fund të asaj ndeshjeje do të humbiste edhe armën e tij të fundit, shpresën se do mund ta gjente rrugën e kthimit për në shtëpi.

Ktheu koken anash, kah godinat që giendeshin në të majtë të vendbanimit, një herë e një kohë të mbushura deng me njerez e me rropama, ndërsa tani fare të braktisura, dhe vërejti me hidhërim sesi rrezet e para të një dielli të mbufatur e kuqëlues depërtonin midis dërrasave të një shtëpize në rrënim e sipër, mbetur pa çati. “Duhet të marr një vendim. Nuk mund të qëndroj këtu.” U pervodh sërish nën jorganin e ngrohtë, mbështeti kokën mbi njërin krah, por nuk arriti të mbyllte sy: ato kambana fantazmore i kishin futur frikën, por më shumë e kish angështuar ajo heshtje e papritur, ajo nëmitje kërcënuese, sepse i dukej sikur në një gjendje të tillë mund të ndodhte me të vërtetë gjithçka.

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.