Artikulli I
Periudha e Pasluftës, sa i takon qasjes ndaj gruas, frymëzohet nga modeli stalinist sovjetik i grave, ky model ndryshonte nga ai i hershëm sovjetik – që ish bazuar në idetë e Leninit dhe kryesisht të Kollontait e Trotskyt – në mbrojtje të imazhit të një gruaje të çliruar nga skllavëria shtëpiake dhe nga morali seksual konservator. Që këto ide të kenë qenë të njohura në Shqipëri, e shohim të besueshme. Ndër numrat e parë të Shqiptares së Re, gjejmë të botuar dhe një fotografi të qeverisë sovjetike, Këshillit të Komisarëve të Popullit (1918), në të cilën, mes të tjerëve, paraqitet dhe Kollontai.
Në fakt, akuzat për imoralitet do të vijonin gjatë ndër vite, madje edhe pasi kishte marrë hov propagandimi i lirisë së gruas prej opinionit publik ‘prapanik’. E në të vërtetë, nuk bëhej fjalë për opinionin publik, i cili mund të mendohet se vijoi t’i bartte detyrimisht për një kohë të gjatë trajtat e rendit moral të shkuar, pavarësisht proceseve edukative. Në dokumente si ai që përcillet më tej, vërejmë se është pikërisht kuadri i lartë i Komiteteve të Partisë ai që, në prapaskenë, vazhdon të përdorë të njëjtën retorikë seksiste mbi gratë. Gjykimi i grave mbi baza imoraliteti e shthurjeje, si dhe dënimi i tyre – me pushkatim apo përjashtim nga e drejta e dëgjesës qoftë me pushtetin – do të vijonte në komunikimin e tyre të brendshëm edhe rreth dy dekada më pas, gjatë viteve ’60. Qoftë në trajtimin gjatë viteve të Pasluftës, kur “mungesa e moralitetit” apo “morali i cënuar” lidhej me elementin armik a reaksionar, qoftë në dhënien e disa privilegjeve – si p.sh., pritja nga aparatçikët e Komitetit Qendror – çlirimi i gruas vijon të mbetet në thelb dukuri armiqësore për shoqërinë socialiste, armik politik që ka për të mbetur i njëjti dhe i pandryshueshëm përgjatë gjithë viteve të regjimit. Në numrin e parë të revistës Buçitja (1944), organ i Brigadës V S, lexohet një shkrim i firmosur nga Interesanti, pseudonim i Ramize Gjebresë, ku, në mbyllje shkruhet: “Gjendja e gruas në Shqipëri ka qënë e është e vajtueshme […] Femra jonë pa mbaruar ende së rrituri qe plakur, pa mbaruar së lozuri me lodra, qe martuar, pa mbaruar së qeni fëmijë, qe bërë nënë…
Titulli: Të paçliruara: Gratë mes Prodhimit dhe Riprodhimit
Botues: Berk
Viti: 2023
Fq. 176