Parathënie
Tek e shkruara mendja nuk është zakonisht kur zanafillën e saj. Ne kërkojmë të dimë sesi kanë lulëzuar idetë e reja dhe trajtat e reja të jetës, të cilat kanë shumë të dukshme në një kohë të mëvonshme; ne e shohim secilën epokë mbi të gjitha në dritën e premtimeve që ajo përmban për epokën që vjen pas saj Me të njëjtin zell që është eksploruar qytetërimi mesjetar për të zbuluar në të farërat e kulturës moderne, ndonjëherë eksplorohet edhe historia intelektuale e mesjetës, sikur e gjithga të mos ketë pasur funksion tjetër përveçse të lajmërojë mbërritjen e Rilindjes. Në fund të fundit, në ato kohëra, që dikur mendoheshin si të ngurta dhe vdekjeprurëse, shihnim kudo filizat e së resë dhe gjithçka dukej se tregonte përsosjen e ardhshme. Megjithatë, në kërkimin për jetën e re që po shfaqej, është e lehtë të harrohet se, në histori si edhe në natyrë, vdekja dhe lindja ecin krah për krah. Trajtat e vjetra të qytetërimit zhduken njëra pas tjetrës në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend ku e reja gjen ushqimin për të lulëzuar.
Në këtë libër jam përpjekur për t’i parë shek. XIV-XV jo si agun e Rilindjes, por si fundin e mesjetës, të qytetërimit mesjetar në moshën e sprasme të tij, si një pemë me fruta të tejpjekura, plotësisht të zhvilluara. Rritja e harlisur e së vjetrës, trajtat imponuese të mendimit mbi bërthamën e gjallë të idesë, venitja dhe rëndimi i një qytetërimit të pasur – kjo është tema qendrore e këtyre faqeve. Me shkrimin e këtij libri, vështrimi im është drejtuar jo për nga thellësitë e qiellit të mbrëmjes – po drejt një qielli plot me të kuqen e përgjaktë, i rëndë dhe i shkretë me një gri të plumbtë kërcënuese, plot me një lustër bakri të gënjeshtërt.
Nëse do t’i bëja një vlerësim të përgjithshëm asaj që kam shkruar, do të lindte çështja se po ta kisha vështruar më gjatë atë qiell mbrëmjesor, ngjyrat e reve gjithsesi mund të ishin shkrirë për t’ia lënë vendin një qartësie absolute. Duket sikur piktura, tani që i qiell mbrëmjesor, ngjyrat e reve gjithsesi mund të ishin shkrirë për kam dhënë asaj vija dhe ngjyra, është bërë më e zymtë dhe më pak serene sesa mendoja kur fillova punën me librin. Mund të ndodhe lehtësisht që autori, duke qenë se vëmendja e tij është vazhdimisht e drejtuar për nga venitja, degjenerimi dhe fishkja, ka lejuar me tepri hijen e vdekjes të bjerë mbi veprën e vet.
Pikënisja e kësaj vepre ishte nevoja për të njohur më mirë artin e vëllezërve Van Ejk (Van Eyck) dhe ndjekësve të tyre, për ta rrokur atë në lidhje me gjithë jetën e asaj epoke. Shoqeria burgundiane ishte njësia mbi të cilën doja të përqendrohesha: më dukej e mundur që ta shikoja atë si një qytetërim po aq të plotë sa edhe ai i Italisë së shek. XV dhe titulli që shestova për librin ishte “Epoka e Burgundisë”. Mirëpo meqenëse fusha e interesave të mia po bëhej më e përgjithshme, duhej të hiqja dorë nga ky kufizim; vetëm në një kuptim shumë të kufizuar mundej që kultura burgundiane të merrej si një njësi; pjesa e Francës jashtë Burgundisë kërkonte të paktën po aq vëmendje. Në këtë mënyrë Burgundia u zëvendësua nga dualiteti i Francës dhe i Vendeve të Ulëta. Ky ishte një dualitet shumë i pabarabartë, sepse në çdo studim të përgjithshëm të kulturës mesjetare në agoni, elementi holandez duhej të mbetej mbrapa atij francez; vetëm në ato zona në të cilat ai kishte një domethënie të vetën si në jetën fetare dhe artin – ai është diskutuar në mënyrë më të plotë. Fakti që kapitulli 16 fare shkurtër i shkel kufijtë gjeografikë – për të sjellë si dëshmitare jo vetëm Ruusbroec-un e Dionis Kartuzianin1, por gjithashtu edhe Eckhart-in, Suso-n dhe Tauler-in – patjetër që nuk ka nevojë për apologji.
Sa i hollë më dukej vëllimi i shkrimeve tashmë të këqyrura të shek. XIV-XV krahasuar me gjithçka që doja të lexoja! Do të më pëlqente t’i shtoja shumë tekste të tjera rrymave të ndryshme shpirtërore, përveç atyre kryesore mbi të cilat kjo panoramë bazohet në një masë të madhe. Megjithatë, nëse citoj më shumë prej Froissart-it dhe Chastelain-it sesa prej kronikave të tjera, prej Eustache Deschamps-it sesa prej poetëve të tjerë, Jean Gerson-it dhe Dionis Kartuziani sesa prej teologëve të tjerë, dhe prej Jan van Ejkut sesa piktorëve të tjerë, kjo nuk ka të bëjë vetëm me kufizimet e materialit tim, por më shumë me faktin se këta njerëz, falë pasurisë dhe mprehtësisë së shprehjeve të tyre, pasqyrojnë në mënyrë të shquar shpirtin e kohës së tyre.
Këtu jemi rrekur të japim një përshkrim të trajtave të jetës dhe mendimit. Lënda thelbësore që ndodhet në ato trajta a do jetë ndonjëherë objekt i punës së shqyrtimit historik?
Leiden, 31 janar 1919
- Në origjinal Denis the Carthusian. Shkrimin e atyre emrave të përveçëm të njerëzve dhe vendeve të mirënjohura, që mund të quhen pjesë e kulturës së përgjithshme, e kemi përshtatur sipas fonetikës së shqipes, ose sipas traditës së shkrimit të tyre në tekste të mëparshëm në shqipe. Emrat e tjerë të përveçëm i kemi lënë të shkruar sipas tekstit origjinal në anglisht, duke i shoqëruar me nyjet përkatëse të trajtës së shquar dhe të lakimit. (Shën. i përkth.) ↩︎




