Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator (drejtor fotografie). Ai ka realizuar shume filma, ka shkruar skenare dhe romane, dhe drama. Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” – sipas tregimit të Hemingëay-t – që u vlerësua me “Çmimin e Parë” në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Hollandë (1961).
Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar.
Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera. Filmat e tij më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Malet me blerim mbuluar”, “Rikthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006).
Në një ceremoni madhështore në Romë iu akordua çmimi i rëndësishëm “Il Lazio tra Europa e Mediterraneo”, 2006 – për audiovizivin dhe kontributin në zhvillimin e artit në Shqipëri, ku u vlerësuan dhe u nderuan tetë personalitete nga vendet e Mesdheut. Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e karrierës” në Festivalin e 10 të Filmit Artistik Shqiptar.
Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë dramën “Nata e trokitjeve në xhama” dhe në vitin 2006 u shfaq filmi i tij më i fundit “Gjoleka, djali i Abazit”.
Ka dhënë vazhdimisht kontributin e tij në përgatitjen profesionale të brezit të ri të kineastëve.
Gjatë viteve të fundit, aktiviteti i tij artistik ka vazhduar me publikimin e veprave të tij letrare. Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011).
Botime letrare:
– Përrallë nga e kaluara; Gjoleka, djali i – Abazit – dy skenarë letrarë (2009)
– Nata e trokitjeve në xhama – dramë (2009)
– Koburja nga Europa – roman (2011)
U nda nga jeta më 1 shtator 2025, për shkak të një sëmundjeje.