“Në mes të ngujimit të kësaj jete” – “Dantedi”

Dita e Dante Alighierit

Në kujtim të Dante Alighierit

Në mes të ngujimit të kësaj jete

Nel mezzo del cammin di nostra vita
mi ritrovai per una selva oscura,
ché la diritta via era smarrita.

Më 25 Mars 1300, nis udhëtimi i Komedisë dhe Dantes drejt të përtejmes. Italia e Poetit – siç i njihet haku, edhe fondator përpos gjuhës italiane, i vetë idesë së një italie-, paska vendosur ca kohë më parë ta shpalli për herë të parë këtë datë di Dita nacionale e Dantes.
Qëlloi keq. Si në jetën reale keq e më keq të tij, stërmundim, përplasje, përpjekje, burgim me vdekje, ekzil, dhe për fund… malaria.
Kohë e keqe, për atë që e preu mesjetën në mes dhe priu Kohën e Re tek i hap shtegun Rilindjes e gdhend ADN e korpusit kulturë perëndimore. Vizionarin apokaliptik që qysh nga vargu i parë thërret sot sërish për në të thella profecie nga e para:
Në mes të shtegtisë së kësaj jete/ u gjeta në një pyll krejt errësi/ Se kishe humbë unë rrugën e vërtetë.

Asnjë poemë s’ka rezultuar aq virale e gjithëpërfshirëse sa Commedia, që këndohej qyshatëherë nga të thjeshtë e të pathjeshtë, makutë të lehtë e mëkatarë të vërtetë, sidoqë në rrathët e ferrit të saj e në sallën e pritjes për reanimacion, në fakt ishin ndarë me rradhë e kujdes.
Sot në kësi gjendje të jashtëzakonshme, nuk mund të festohet si qe taksur inkursioni i jashtëzakonshëm i Dantes, gjer dhe në histori, porse kësisoj mbase do mund të riafirmohet misioni i tij për nevojën e një “renovatio” e reformimi, domosdonë e njohjes dhe dijes; “gostia” e këngëve për ushqim dhe buka shoqëruese, si polemikë e mbarë dhe shqyrtim.
Tani na vijnë më afër prej halli idetë e tij edhe mbi shkencën si përsosuria e fundit e shpirtit. Dhe në fund fare, që gjithcka bëhet për shëlbimin e tij.
Tani e në këtë kapje gafil prej të pazakonshmes, dukurive si globalizmi, njëherit mundësi e poaq dhe shkakëtar, mund të kuptojmë ca më qartë, por dhe ndërsjelltas, edhe mbi dallimin mes gjuhëve natyrale dhe artificiale te vepra “de Vulgaris eloquentia”, apo fragmentarizimi i dialekteve dhe qari e zarari.
Tani, nën perceptimin e befte te fshirjes nga faqja e dheut, bën vaki të thellohemi ca mbi faktin se si Dante e Komedia e tij, literalisht me një të rënë të lapsit, fshin një perandori të tërë të latinishtes, gjithë duke e dashur e kënduar bukur dinjitetit të saj.
Tani, e pikërisht nga maskat e bardha le të kujtohemi për atë fund fatbardhë ama, të parajsës së Dantes me qiellin mbi empirin e patundur në formën e një trëndafili të bardhë. Përndryshe do vazhdojmë të manipulojmë edhe profecinë, gjer duke bojatisur maskat.
Tani, nën panik, kujtohemi më kollaj për Panin, perëndi e pyjeve dhe errëtisë dhe kuptimin e shumëfishtë të fjalës “smarrita” që shqetëson poetin Heamus Heany mbi vargun qysh në krye të Komedisë, e që është edhe humbje e udhës, po edhe e torruas, ndoshta edhe e të dukshmes, po edhe sens i cudisë e kushedi sa të tjera për mos ta humbur krejt davanë, kur i thonë. Dhe bashkë me të edhe rikthimi te shqetësimi mbi pamundësinë e një përkthimi përmbushës, sa më gjeniale vepra.

Mbërritur këtu, e meqë kemi nge këto kohë, po e teproj edhe ca për të shlyer nga borxhi ndaj përkthyesve tanë, me një fragment, them se ia vlen si imazh, nga parathënia e botimit të tretë të “Uliksit”:
Në këtë fjalë mbi Uliksin, librin që në çdo trajtim leximi a feste implikon pashmangshëm edhe mjaft vepra lidhur me të, ashtu dhe punën mbi përkthimin si kimerë, kam rastin e shprehjes edhe një herë të nderimit të ndjerë ndaj përpjekjeve madhore të shqipëruesve, falë të cilëve kemi gjithë një magji bote letërsie nën mahninë e gjuhës mëmë: Ndre Mjeda, Fan Noli, Henrik Lacaj, Gjon Shllaku, Petro Zheji, Frano Alkaj, Mark Dema, Halit Selfo, Lazër Shantoja, Pashko Gjeçi…

Pashko Gjeçi, prej të cilit flasin shqip dilema Hamleti, Fausti, por edhe Andromaka Racine, Atala Shatobriandt dhe vargje Leopardi në pritje botimi, përkthyesi kimerik që e kemi gjallë dhe s’po ja dimë pahanë, një ditë na rrëfeu sesi ishte ndjerë, kur posa pat përfunduar Komedinë Hyjnore. Të parat vargje, nga Kënga e Tetë nëmos gaboj, i kish nisur si lojë, një mbrëmje… kur qe veç dymbëdhjetë vjeç. …Nuk i ka prekur më! Ashtu si i kemi edhe sot. Ndërsa, në fund të të fundmit varg, iu bë sikur at’çast, dikur ndaj të gdhirë, Poeti doli nga deriçka e strehës së përkthyesit, me tërë vitet që i rrinte mjeshtrit model teksa ky e kthente dhe përkthente. Tha: M’u duk se Dante doli fill prej porte… dhe më la fillikat!
Kur iu lypsej ferri i këtij e kthyen përkthyesin në kryeqytet, dhe autoritetet i dhanë një autorizim strehimi, drejt së cilës ia grahu me të shpejtë, përgjëruar për një tavolinë pune dhe dritë. Mandej, një portë që kësaj rradhe po hapej, por për çudi, nga brenda, shtëpia brenda kishte njeri! Përballë, sikur shajnia e Virgjilit Dantes, iu shfaq idhulli, mësuesi i tij i gjimnazit në Shkodër. Ai që i pat mëtuar letërsi, atij dhe jo pak përkthyesve mjeshtra të ardhshëm, tek u linte heshtazi nga një libër poshtë bankës.
Mësuesi plak, gjendur gabimisht në shtëpinë e re, e që në një copë letre me adresë i përkiste Pashko Gjeçit, quhej Pashko Geci… Dhe, ja, ngatërrimi prej një shkronje që i shtohej gjithë ngatërresës lesh e li, aneqark. Plaku i urtë bënte të merrte plaçkat, për t’u shkulur e shkuar aty ku i qe caktuar, ndërsa nxënësi e kish qafuar dhe s’e linte të bënte çap. Pastaj ndërruan fletushkat e paqarta e të ndotura të autorizimeve. Si trille xhojsiane keqkuptimi, të cilin ky na e quajti motor historie, apo si një lojë e thjeshtë fjalësh, të llojit ‘Uncle Lear’ me ‘unclear’, si e luante një lexues në letrën qëndisur Xhojsit dikur, e qesëndisur me emrin Germ’s Choice.
Përkthyesi i Dantes, shkuar të nëntëdhjetat, vijon qysh asokohe jetën e qindit, mes mureve të dy dhomave të vogla fare, mu këtu pas dritares përballë, penxheres ndë ‘Shallvare’. Komedinë Hyjnore e kujton dhe reciton vetëm në origjinal. Së këndejmi, zgjedhim mbrëmjeve ndonjë varg shqip. Falë tij dhe për të, edhe prej vargjeve me Parajsë.

Krenar. Zejno, Zenit, Tiranë, 2009

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.