Njihuni me fituesit e “Tirana European Youth Film Festival 2025”

Pas disa ditësh të mbushura me filma, diskutime, disa episode podcast-i, “Tirana European Youth Film Festival” shpalli fituesit e këtij edicioni. Juria dhe publiku dhanë verdiktin e tyre, duke vlerësuar filmat më të mirë që sollën histori prekëse, vizion të fortë artistik dhe emocione të paharrueshme.

Fituesit sipas kategorive të çmimeve, janë si më poshtë:

Regjia më e mirë – Forever Hold Your Peacenga Ivan Marinović

Regjisori Ivan Marinović e kthen kaosin e një dasme të dështuar në një dramë të ndjerë, plot humor dhe ndjeshmëri. Performancat e aktorëve dhe rrëfimi i ndërtuar me kujdes e bëjnë këtë film një udhëtim emocional që publiku nuk do ta harrojë lehtë.

Skenari më i mirë – Clearing nga Magdalena Pięta

Një histori për humbjen dhe kujtesën, e shkruar me qartësi dhe ndjesi të thellë. Magdalena Pięta arrin të bashkojë zëra të ndryshëm në një rrëfim të fuqishëm mbi lidhjet njerëzore dhe misterin e kujtesës.

Kinematografia më e mirë – Another German Tank Story nga Jannis Alexander Kiefer

Me kujdes për çdo detaj, kinematografia e këtij filmi na zhyt në atmosferën e ngjarjeve historike dhe jetës së përditshme në një fshat të vogël. Çdo sekuencë filmike është e menduar për t’i dhënë historisë qartësi dhe forcë vizuale.

Çmimi special i jurisë – Silence of Sirens

Çmimi i shkoi aktorit Sunaj Raça, për interpretimin e tij prekës në rolin e Avniut. Ai arriti të shpalosë me ndershmëri dhe intensitet luftën e brendshme të personazhit, duke e bërë të ndjehej thellë nga publiku.

Filmi më i mirë i festivalit – The House with No Address nga Hatice Askin

Ky film shkëlqeu si në regji, skenar, kinematografi, interpretim dhe mesazh. Me tematikën e kujtesës, identitetit dhe koston e fshirjes, ai ofron një përvojë të plotë dhe të guximshme kinematografike, e cila e bën fituesin e merituar të edicionit 2025.

Çmimi i publikut – E se mio padre nga Solange Tonini

Publiku dha votën e tij, ku me mbi 600 pjesëmarrës që zgjodhën fituesin, filmi i Solange Tonini preku më shumë zemrat e shikuesve, duke marrë Çmimin e Publikut.

Ky edicion i “Tirana European Youth Film Festival” dëshmoi fuqinë e kinemasë për të lidhur njerëz, për të hapur biseda dhe për të frymëzuar brezin e ri të krijuesve. Fituesit e këtij viti na kujtojnë se kinemaja është një gjuhë universale që na bashkon përtej kufijve.

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.