Më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, erdhi në jetë Zefi, fëmija që do të pagëzohej me emrin e pavdekshëm Gjergj Fishta. Ishte një ditë e zakonshme në një Shqipëri të robëruar nga Perandoria Osmane ku asnjë kronikë nuk shënoi se në një shtëpi të thjeshtë zadrimore, Ndoka i Simon Ndocit “ishte shtue me djalë”.
Askush s’e dinte se ai djalë do të bëhej një ndër shtyllat e vetëdijes kombëtare shqiptare, një dritë e artit e mendimit që do të frymëzonte breza.
Fishta do ta kujtonte më vonë me krenari ditën e lindjes së vet, duke thënë:
“Unë jam Gjergj Fishta, djali i vogël i Ndokës, të cilin nana e ka ba me të mendueme!”
Fishta u pagëzua nga misionari françeskan e poeti Leonardo De Martino dhe ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër, ku ndikuan tek ai figura të ndritura si De Martino dhe Lovro Mihaçeviq, të cilët i ushqyen dashurinë për letërsinë, gjuhën dhe kombin.

Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, u dërgua në Bosnjë për të studiuar teologji e filozofi në seminaret françeskane të Sutjeskës, Livnos e Kreshevës. Aty u formua si njeri i dijes, duke zotëruar latinishten, italishten e serbo-kroatishten. Në ato vite u miqësua me shkrimtarë të njohur si Gërga Martiq dhe Silvije Kranjçeviq, që ndikuan në zgjimin e prirjes së tij poetike.
Më 1894, Fishta u shugurua meshtar dhe u kthye në Shqipëri, ku shërbeu si mësues në kolegjin françeskan të Troshanit dhe si famullitar në Gomsiqe.
Në vitin 1899, së bashku me Preng Doçin, Ndoc Nikajn dhe Pashko Bardhin, themeloi Shoqërinë letrare “Bashkimi” të Shkodrës, që do të kishte një ndikim të madh në zgjidhjen e çështjes së alfabetit të shqipes dhe në botimin e teksteve të para shkollore.
Në vitin 1902, u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, ku për herë të parë shqipja u përdor si gjuhë mësimi.

Në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, Fishta ishte një nga figurat kyçe, i zgjedhur për të kryesuar komisionin që do të përcaktonte alfabetin e përbashkët të shqipes , një hap vendimtar në unifikimin gjuhësor e kulturor të shqiptarëve.
Publicisti dhe ideatori i mendimit kombëtar
Në tetor të vitit 1913, themeloi revistën “Hylli i Dritës”, një nga publikimet më me ndikim në historinë e kulturës shqiptare, e cila trajtoi letërsinë, politikën, folklorin e historinë kombëtare.
Fishta ishte gjithashtu nismëtar i Komisisë Letrare Shqype (1916), ku u vendos për herë të parë përdorimi i gjuhës letrare bazuar mbi dialektin e Elbasanit , një kompromis që Fishta e pranoi me rezerva, duke besuar fort se gegërishtja e veriut mund të bëhej themel i shqipes së unifikuar, ashtu si toskërishtja e Dantes për italishten.
Përveç jetës letrare e fetare, Fishta mori pjesë edhe në jetën politike të Shqipërisë së sapoformuar.
Në Konferencën e Paqes në Paris (1919), shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar dhe përfaqësoi Shkodrën në parlamentin e vitit 1921, ku u zgjodh nënkryetar i tij.
U dallua për oratorinë dhe vizionin e qartë kombëtar, duke mbrojtur çështjet e arsimit, kulturës dhe pavarësisë shpirtërore të vendit.

Në vitet 1935–1938, shërbeu si provincial i Urdhrit Françeskan të Zojës Nunciatë dhe u përkushtua shkrimeve e mendimit filozofik, duke lënë gjurmë të thella në kulturën kombëtare.
Një trashëgimi e pavdekshme
At Gjergj Fishta u nderua me shumë tituj ndërkombëtarë: Ritterkreuz nga Austro-Hungaria (1911), “Al Merito” nga Papa Piu XI (1925), medaljen Feniks nga qeveria greke dhe u pranua në Akademinë Italiane të Shkencave e Arteve në vitin 1939.
Nga 37 veprat që mbartin emri i tij, “Lahuta e Malcis” (Shkodër, 1937) mbetet gur themeli i letërsisë shqiptare.
Kjo poemë epike me 15.613 vargje përshkruan luftërat për liri dhe qëndresën e popullit shqiptar nga vitet 1858 deri më 1913, duke ngjizur në vargje frymën e kombit dhe gjuhën e maleve.
Një tjetër vepër e spikatur, “Anzat e Parnasit”, përfaqëson majat e satirës shqiptare e botërore, një pasqyrë e rrallë e ironisë fishtjane ndaj shoqërisë dhe politikës së kohës.
Nga ndalimi te rilindja e Fishtës
Pas vitit 1944, me ardhjen e regjimit komunist, veprat e Fishtës u ndaluan, emri i tij u fshi nga librat dhe përmendja e tij u bë e rrezikshme. Vetëm pas rënies së diktaturës, poeti i kombit u rikthye në vendin që i takon në historinë dhe ndërgjegjen shqiptare.

“Lahuta e Malcis” u ribotua në Romë (1958, 1991), në Lubjanë (1990) dhe është përkthyer në gjermanisht, italisht e anglisht, duke u bërë një pasuri e letërsisë botërore. Ai u shua në Shkodër më 30 dhjetor 1940, duke lënë pas një trashëgimi të paçmueshme shpirtërore e letrare.
At’ Gjergj Fishta mbetet poeti i kombit dhe ndërgjegjja morale e shqiptarëve. Ai ishte, siç e kanë quajtur shpesh, “Homeri shqiptar” por në thelb ishte ndërgjegjia që e ngriti gjuhën shqipe në piedestal duke i dhuruar kombit një monument të përjetshëm të fjalës, mendimit dhe shpirtit shqiptar.
Më poshtë gjeni disa video poezi të përzgjedhura të poetit kombëtar Gjergj Fishta: