Piktori artist Fatmir Haxhiu në tempullin e historisë

Nga Luan Rama

Artisti në tempullin e Historisë

Vetëm dy herë kam qenë në atelierin e Fatmir Haxhiut dhe kjo nga mesi i viteve ’80. Ajo që më bëri përshtypje në atë kohë ishte piktura e tij monumentale dhe forca e jashtëzakonshme e trajtimit të historisë në pikat kulminante të saj. Më ngjante kështu me një romancier piktural të epopeve të mëdha; magjepsur nga vetë epopetë, i vetëdijshëm sikur të ishte vetë pjellë e epopesë.

Më pas nuk e takova më dhe më vonë ai do të vazhdonte ti drejtohej portretit dhe temës lirike, figurës së gruas, temës qytetare tiranase ku “Dasma tiranase” mbetet një nga punimet e tij më të bukura lirike, siç do ta pikturonte po aq mjeshtërisht dhe Kaceli me një frymë të afërt të epokës orientalistike të Delacroix. Megjithatë, thelbi i Haxhiut, i këtij piktori spikatës në pikturën shqiptare të pas luftës dhe njëri nga më elitarët e gjeneratës së vet, mbeti historia, afresku historik i një kohe përmes ngjyrave të forta e karaktereve të këtyre epokave. Isha mahnitur me dinamizmin që vibronte në telajot dhe kompozimet e tij veçanërisht rreth luftrave të Skënderbeut.

E padyshim është tepër e vështirë të japësh të gjallë një epope, ti japësh dinamizëm një çasti të njohur historik e një beteje, pasi të duhet të japësh në ansambël gjithë personazhet në lëvizje. E për ta pikasur këtë duhet të ndalesh në veprat e piktorit, të kundrosh ngadalë çdo portret e detaj të saj. E atëherë të ngjan se je përballë pikturave monumentale të Renesancës italiane: prijësi, kuaj, shpata, kalorës, mburoja, portrete të forta dhe nën tensionin e betejës, kostume, luftetarë me qeleshe etj., ku çdo portret përbën si të thuash një tablo më vete, portrete që qëndrojnë dinjitoze dhe ballë afreskeve të mëdha të gjenive të artit që nga Da Vinçi me betejën e Anghiarit, Uccello apo Pisanello me kuajt e mrekullueshëm të tyre duke vazhduar me Gericault e Delacroix që në temën orientalistike i dhanë artit të pikturës një dimension të ri. Duket se piktura e Haxhiut nuk ka qenë një frymëzim i çastit, dhënë mjeshtërisht nga autori. E ndjen menjëherë se koha është ngjizur në telajo gjer në detajet më të holla, ngjyrat dhe lëvizjet dinamike, ku koha është mishëruar pas një studimi të gjatë të historisë, ngjarjeve reale, çastit të dhënë historik, rëndësia vitale e përleshjes dhe e fitores për të përcjellë më së fundi idenë themelore të ngadhnjimit. Kështu ndodh dhe ngadhnjimi i piktorit në art. E për kritikët e artit sot është i domosdoshëm një refleksion i ri mbi këta artistë të shquar.

I shoh sot këto portrete luftëtarësh dhe në mënyrë inkoshiente më vijnë parasysh tablotë e Rilindjes europiane, tablotë e mëpasme të Gericault dhe të Delacroix. Këtë asociasion imazhesh ta sjell në fakt veç një artist i fuqishëm. Nga koha e luftrave të Skënderbeut ne nuk trashëgojmë asnjë imazh faktik dhe të drejtpërdrejtë, por është forca e artistit që do ta përgjithësojë dhe do na e shpalosë me një atmosferë e figura të tilla që me veprën e mbaruar ato kthehen në imazhe të pakundërshtueshme, të vërteta, vetë fytyra e historisë. A nuk ka ndodhur kështu me gjenitë e mëdhenj të Rilindjes?

Do doja të rikthehesha sërish në studion e tij në Tiranë por mjerisht artisti ka 20 vjet që ka shkuar duke na lënë pas trashëgim një vepër të madhe. Fatmir Haxhiu vazhdon të udhëtojë si një pelegrin i madh i botës së artit duke na lënë pas epikën që ai krijoi. Të ngjan se artisti ka hyrë në tempullin e Historisë bashkë me heronjtë e tij…

Almanart