Premiera shqiptare “Burri i Shtëpisë” në mesin e 50 filmave garues në Sarajevë

Në Bosnje Hercegovinë ka nisur edicioni i 31-të i Festivalit të Filmit në Sarajevë. Festivali është hapur me shfaqjen e filmit “Paviljon” të regjisorit boshnjak Dino Mustafiq. 50 filma do të garojnë në kategori të ndryshme, për çmimin “Zemra e Sarajevës”.

Filmi artistik me metrazh të gjatë, “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) me regji të Andamion Murataj dhe me produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media”, do të ketë premierën botërore në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025. Pjesë e këtij filmi është edhe aktorja e mirënjohur nga Maqedonia e Veriut Drita Kaba Karaga.

“Burri i Shtëpisë” fokusohet në karakterin e Franit, e cila, pavarësisht se ka lindur grua, ka zgjedhur të jetojë si burrë. Por kur Zana, mbesa që ka nën kujdesin e saj, ka nevojë për nënë, Franit i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë midis ruajtjes së statusit të një burrneshe apo rizgjimit së ndjenjave mëmësore, që i ka shtypur prej kohësh.

Drita Kaba Karga në rolin e Franit, tha se Frani është një grua e fortë që rrethanat e kanë detyruar të marrë barrën e të gjitha punëve që bëjnë burrat.

“Regjisori Andamion Murataj më thirri në një takim në teatrin tonë, më tha se kishte vite që më shihte në rolin kryesor të filmit të tij, më foli për skenarin dhe gjithë mundin e dashurinë që kishte investuar në të. Lexova skenarin dhe te Frani gjeta një grua të fortë që rrethanat e kanë detyruar të marrë barrën e gjitha punëve që bëjnë burrat. Kam njohur gra të tilla, mendova Franit do të di dhe mundem t’i jap jetë. Procesi i xhirimeve ishte i studiuar hollësisht me profesionalizëm dhe shumë dashuri me bë punë të jashtëzakonshme”, tha aktorja.

Për këtë edicion janë përzgjedhur 15 premiera botërore, 6 ndërkombëtare, 28 rajonale si dhe dy premiera kombëtare. Pritet që kineasti italian Paolo Sorrentino të vlerësohet me çmim nderi “Honorary Heart of Sarajevo Award”, për kontributin e jashtëzakonshëm në artin e kinemasë. Dy yje të tjerë të kinematografisë botërore, të cilët do të nderohen me çmime në këtë edicion, do të jenë suedezi Stellan Skarsgard dhe amerikani Willem Dafoe./portalb.mk

Almanart-e-Book-Summer-Festivals
Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.