Regjisori iranian fiton “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë me filmin “It Was Just an Accident”

Regjisori iranian Jafar Panahi, i cili më parë është burgosur dhe i është ndaluar prodhimi i filmave në vendin e tij, ka folur hapur kundër kufizimeve të regjimit pas fitimit të çmimit kryesor në Festivalin e Filmit në Kanë.

Panahi fitoi çmimin prestigjioz “Palma e Artë” [Palme d’Or] për filmin It Was Just an Accident [Ishte thjesht një aksident], të cilin BBC Culture e përshkroi si “një thriller hakmarrës i furishëm por edhe humoristik që godet regjimet shtypëse.”

Ai u duartrokit ndërsa u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij që të “lënë mënjanë” dallimet dhe problemet.

“Gjëja më e rëndësishme tani është vendi ynë dhe liria e vendit tonë” – tha ai. “Le të bashkojmë forcat. Askush nuk duhet të guxojë të na thotë se çfarë rrobash duhet të veshim, çfarë duhet të bëjmë apo çfarë nuk duhet të bëjmë.”

Qëndrimi i fundit i Panahit në burg, nga i cili u lirua në vitin 2023, ishte për shkak të protestës kundër ndalimit të dy kolegëve të tij regjisorë që kishin kritikuar autoritetet.

Udhëtimi i tij në Kanë ishte paraqitja e tij e parë në një festival ndërkombëtar pas 15 vitesh, për shkak të një ndalese të gjatë për të udhëtuar jashtë vendit.

Filmi “It Was Just an Accident” është xhiruar fshehurazi dhe pjesërisht bazohet në përvojat personale të Panahit në burg.

“Para se të shkoja në burg dhe para se të njihja njerëzit që takova atje — dhe të dëgjoja tregimet e tyre, prejardhjen e tyre — çështjet me të cilat merresha në filmat e mi ishin krejtësisht të ndryshme”- tha regjisori për “The Hollywood Reporter”.

“Është pikërisht në këtë kontekst (…) me këtë përkushtim të ri që e ndjeva në burg, që më lindi ideja dhe frymëzimi për këtë histori.”

Filmi rrëfen historinë e pesë iranianëve të zakonshëm që përballen me një burrë që besojnë se i ka torturuar ata në burg.

Personazhet janë frymëzuar nga bisedat që Panahi ka pasur me të burgosur të tjerë dhe “tregimet që ata më rrëfyen për dhunën dhe brutalitetin e qeverisë iraniane”, shtoi regjisori.

Panahi kaloi shtatë muaj të një dënimi gjashtëvjeçar në burg përpara se të lirohej në shkurt të vitit 2023.

Ai më parë ishte dënuar me gjashtë vjet burg në vitin 2010 për mbështetje të protestave kundër qeverisë dhe për krijimin e “propagandës kundër sistemit”. U lirua me kusht pas dy muajsh dhe iu ndalua të bënte filma ose të udhëtonte jashtë vendit.

Panahi ka premtuar se do të kthehet në Teheran pas festivalit, pavarësisht rrezikut të ndjekjes penale.

“Menjëherë sapo të mbaroj punën time këtu, do të kthehem në Iran” – u tha ai gazetarëve në Kanë. “Dhe do t’i bëj vetes pyetjen: cili do të jetë filmi im i ardhshëm?”

Recensioni i “The Guardian” e përshkroi “It Was Just an Accident” si filmin më emocionalisht të drejtpërdrejtë të Panahit deri tani: një film për dhunën shtetërore dhe hakmarrjen, për dhimbjen e tiranisë që bashkëjeton me normalitetin e përditshëm në dukje.

“Është një tjetër film serioz-komik shumë mbresëlënës nga një prej figurave më të veçanta dhe më të guximshme të kinemasë botërore” – shkroi kritiku Peter Bradshaw.

“Variety” tha se Panahi është shndërruar “nga një humanist i qetë në një kritik të hapur të regjimit iranian, siç dëshmohet në thrillerin e tij të ri politik me ndikim të madh”.

Panahit iu dorëzua “Palma e Artë” nga aktorja franceze Juliette Binoche, e cila është presidente e jurisë së Kanës këtë vit, dhe aktorja australiane Cate Blanchett.

A do të ndjekin Oscarët?

Duke e prezantuar çmimin, Binoche tha se kinemaja dhe arti janë “provokues” dhe mobilizojnë “një forcë që e shndërron errësirën në falje, shpresë dhe jetë të re”.

“Pikërisht për këtë arsye kemi zgjedhur për ‘Palme d’Or’ filmin ‘It Was Just an Accident’ të Jafar Panahit.”

Në fjalën e saj hyrëse, Blanchett tha: “E përgëzoj festivalin për kuptimin se kinemaja krijon hapësira për zhvillimin e bisedave më të gjera shoqërore.”

Ceremonia e ndarjes së çmimeve vazhdoi siç ishte planifikuar pavarësisht një ndërprerjeje pesë-orëshe të energjisë elektrike, që autoritetet lokale e lidhën me sulme të dyshuara ndaj një nënstacioni dhe një shtylle elektrike.

Panahi, 64 vjeç, tani ka përmbushur arritjen e rrallë të fitimit të çmimeve kryesore në festivalet e Kanës, Berlinit dhe Venecias – dhe mund të jetë në rrugë për njohje edhe në Hollywood.

Katër nga pesë fituesit e fundit të “Palmës së Artë” janë nominuar për Oscar për filmin më të mirë.

Megjithatë, “It Was Just an Accident” nuk ka gjasa të nominohet për çmimin Oscar për filmin më të mirë ndërkombëtar. Që të kualifikohet, filmi duhet të ketë pasur një shfaqje kinematografike në vendin e origjinës – dhe filmat e Panahit janë të ndaluar në Iran./BBC

Almanart