László Krasznahorkai është shpallur fitues i çmimit Nobel 2025 për letërsi.
László Krasznahorkai lindi në vitin 1954 në Gyula, Hungari. Ai studioi drejtësi në Szeged dhe gjuhë e letërsi hungareze në Budapest. Në vitin 1985 botoi romanin e tij të parë, Sátántangó (Satantango, 2012 në anglisht), i cili më vonë u përshtat për filmin me të njëjtin titull nga regjisori Béla Tarr (1994). Bashkëpunimi midis autorit dhe regjisorit solli edhe katër përshtatje të tjera filmike të romaneve të Krasznahorkait, përfshirë filmin që Tarr e quajti veprën e tij të fundit, A Torinói ló (2011; Kali i Torinos).
Në krijimtarinë e tij, Krasznahorkai ndërton një botë pa heronj klasikë, ku protagonistët lëvizin si kukulla, fijet e të cilave tërhiqen diku prapa skenës. Ata janë figura të vetmuara e të shkëputura, që nuk ndalen kurrë së vrapuari. Kafka nuk ka qenë vetëm frymëzim për këta personazhe, por edhe për qëndrueshmërinë stilistike dhe koherencën e zymtë të prozës së tij.
Romani Háború és háború ( Lufta dhe Lufta) paraqet një skenar njëkohësisht melankolik dhe kritik: në prag të mijëvjeçarit të ri, Korin që ëndërron të bëhet një arkivist i rangut të lartë niset nga qyteti i tij provincial drejt Nju Jorkut, për të vdekur “në qendër të jetës”.
Gjatë udhëtimit, ai kalon nëpër shumë vende të rëndësishme të historisë perëndimore, nga Kreta dhe Roma deri te Hallen für Neue Kunst në Schaffhausen, Zvicër. Kudo që shkon, ai shton vargje të reja në rekuiemin e tij, ndërsa vetëm mendimi për dorëshkrimin e fshehur në qepjet e palltos i jep shpresën se udhëtimi i tij ka një kuptim.

Romani “Në veri një mal, në jug një det, në perëndim rrugë, në lindje një lumë” zhvillohet në Japoni. Në këtë vepër, e kaluara dhe e tashmja, realiteti dhe transcendenca ndërthuren për ta udhëhequr lexuesin , së bashku me nipin e Princit Genji, një personazh nga një roman klasik japonez , drejt “kopshtit më të bukur”, një mbretëri e ndërmjetme mes meditimit dhe letërsisë.
Përmbledhja e tregimeve Seiobo auf Erden eksploron konceptet estetike lindore dhe perëndimore, ndërsa ( Bota vazhdon), një cikël prej 21 tregimesh trajton çorientimin e njeriut modern përmes imazheve të gjalla dhe një gjuhe ritmike e muzikore.
Në librin me ese dhe fotografi Projekti Manhattan (2017), Krasznahorkai dhe fotografi Ornan Rotem ndjekin gjurmët e Herman Melville në Nju Jork, gjë që e frymëzoi autorin të shkruante një roman të ri mbi njëzet vitet e fundit të jetës së Melville në këtë qytet.

Krasznahorkai është fitues i shumë çmimeve prestigjioze, ndër to: Çmimi Tibor Déry, Çmimi SWR Bestenliste, Çmimi Kossuth, Çmimi Sándor Márai, “Brücke Berlin”, Çmimi Spycher, si dhe Çmimi Ndërkombëtar “Man Booker” në vitin 2015 dhe Çmimi Kombëtar i Librit për Letërsi të Përkthyer në vitin 2019.
Në vitin 2021 ai mori gjithashtu Çmimin Shtetëror Austriak për Letërsi Evropiane.
Romani i tij ‘Melankolia e qëndresës’ i përkthyer dhe në shqip është një komedi e apokalipsit, një libër për një zot që jo vetëm deshton, por edhe nuk kthehet të bëjë llogaritë. Më pak maniak, më pak i ngërthyer se romani “Luftë dhe Luftë’, ‘Melankolia e qëndresës’ ka elemente të romanit tradicional social.
Autori aktualisht jeton në Trieste.