Në Kyoto të Japonisë ndodhet Teatri Minamiza, i cili qëndron në të njëjtin vend që nga viti 1610, çka e bën teatrin më të vjetër të vendit.
Ndërtesa aktuale daton nga 1929 dhe konsiderohet si shtëpia e parë e kabuki-t, formës tradicionale japoneze që bashkon pantomimën dhe muzikën.
Çatia në stilin Momoyama dhe hyrja e kuqe e ndezur janë elemente të spikatura, ndërsa kati i tretë, megjithëse më i lirë, ofron pamjen më të mirë.
Në Brazil, Teatri Amazonas në Manaus është një perlë e ngritur në zemër të xhunglës në vitin 1896.

Materialet u sollën nga e gjithë bota: muret prej çeliku nga Glasgou, mermeri nga Italia dhe 36 mijë pllaka franceze që formojnë flamurin brazilian mbi kupolë.
Dyshemeja është ndërtuar nga 12 mijë copa druri amazonik pa përdorim ngjitësi, dhe perdja me pamje të lumit Negro është një vepër arti më vete.
Në Palacio Bellas Artes të qytetit të Meksikës, vonesat e shkaktuara nga Revolucioni Meksikan nuk e penguan këtë ndërtesë madhështore të hapet më 1934.

Fasada art nouveau përzihet me një brendësi art déco të zbukuruar me maska maja dhe murale të Diego Rivera-s.
Pika më mbresëlënëse është perdja e saj prej një milion copash xhami Tiffany, që paraqesin vullkanet Popocatépetl dhe Iztaccíhuatl.
Në Municipal House të Pragës, e ndërtuar në vitin 1905, ndodhet salla e famshme Smetana Hall.

Kjo ndërtesë është vepër e disa artistëve çekë të njohur, me mozaikë, kupola prej xhami dhe reliefe të frymëzuara nga legjendat e Vyšehrad-it. Aty zhvillohen rregullisht koncerte me muzikë klasike.
Në brigjet shkëmbore të Kornuollit në Britani ndodhet Teatri Minack, i ngjashëm me Odeonin e Athinës, por shumë më i ri, i krijuar në vitet 1920 nga Rowena Cade në kopshtin e saj buzë detit.

Teatri i hapur në natyrë ofron pamje mahnitëse të delfinëve dhe organizon shfaqje si Hamleti dhe Qeni i Baskerville-ve.
Në SHBA, Citizens Opera House në Boston u ndërtua më 1928 nga arkitekti i famshëm Thomas W. Lamb.

Brendësia e tij shkëlqen nga mermeri Carrara, ari dhe mëndafshi, ndërsa pas restaurimit 54-milionësh në vitet 1990, teatri është kthyer në një mrekulli arkitekturore që ofron edhe ture historike pas skene.
Në Kinë, Teatri i Madh i Harbinit duket si një strukturë futuriste e formuar nga era dhe uji.

Brendësia e bardhë pasqyron dimrat me borë të qytetit, ndërsa shkallët skulpturore që ngjiten drejt kopshtit të çatisë janë frymëzuar nga pesë malet e shenjta të Kinës.
Salla kryesore, e mbuluar me dru frashëri Mançurian, është krijuar për një ndjesi intime dhe natyrore.
Në Orlando të Floridës ndodhet Steinmetz Hall, një nga teatrot me akustikën më të përkryer në botë.

I ndërtuar mbi 400 jastëkë gome, ai arrin një nivel zhurme N1, pika më e ulët që mund të perceptojë njeriu. Dekori i bakrit dhe drurit nuk është thjesht estetik: çdo element është projektuar për të përsosur tingullin.
Në Vjenë, Burgtheater është simbol i artit austriak që nga viti 1888.

Fasada neorenesanciste fsheh një brendësi të pasur me skulptura të Apolonit, Bakut, Shekspirit dhe Goethes, si dhe piktura nga Gustav Klimt, përfshirë vetëportretin e tij të vetëm të mbijetuar.
Teatri ishte ndër të parët në botë me ndriçim elektrik dhe sistem ajrimi inovativ që përthith ajrin nga kopshti me trëndafila dhe e shpërndan përmes ndenjëseve në sallë. / NatGeo, Shqip.al



