SKËNDERBEU I TRAGJEDISË SË HAXHIADEMIT, NJË TJETËR PAVDEKËSI, POR E PLAGOSUR…

Nga Visar Zhiti

…dua të marr ndër duar tragjedinë “Skënderbeu” të Etëhem Haxhiademit, ta shfletoj sërish e sërish, sidomos sot…
Vit Skënderbejan, 555 vjet pavdekësi… Prisja një si të kremte të madhe, mbarëkombëtare, me pjesëmarrje nga Europa, të cilën e mbrojti heroikisht, nga bota, historisë së cilës i përket… një Krujë tjetër, sheshe e shtatore të tjera, panteon të tij, mesha, ishte dhe Atlet i Krishtit, akademi, teatër, të ngjitej në skenë Skënderbeu i Haxhiademit, opera, ekspozita, konkurse e konferenca, kolanë botimesh skënderbejane, homazhe dhe fishekzjarre në qiellin e tij sot.
555 vjetët pavdekësi e madhërishme si një tronditje në heshtje e tokës, 5-5-5 si një trini heroike përkrenaresh, edhe e shenjtë…
Por unë i besoj letërsisë shumë. Skënderbeun na e lanë plot shkëlqim Barleti dhe Frang Bardhi, etj, e ringjallën De Rada dhe Naimi e At’ Fishta, etj. Është e madhe biblioteka skënderbejane dhe shumë gjuhëshe.
Po unë thashë, do marr një libër në gjuhën e Gjergj Kastriotit, tragjedinë e Etëhem Haxhiademit si për të gjitha këto…
Është një çudi e letrave tona, kam thënë, ka sjellë të paarritshmen nga askush më parë e as më pas. Ka botë dhe kohë, bashkon antikitetin greko-romak dhe klasiken e Rilindjes Europiane, iluminizmin, shekspirizmin me rilindjen shqiptarë duke ringritur ato që shëmbën shekujt e errësirës, Pallatin Mbretëror Skënderbejan dhe Katedralen e shpirtit të Kombit.
Na ka sjellë një Skënderbe sa kompleks dhe të qartë si statujat e tij, mbret dhe luftëtar, udhëheqës dhe njeri, i mençur, zemërmadh dhe dinak, i pamëshirshëm dhe falës, i kërcënuar nga jashtë nga armiku i madh, por i kërcënuar dhe nga brenda, edhe nga tirania e vet e mundëshme. Në krah ka Donikën mbretëreshë, dinjitoze, mbështetëse, rrezëllitëse si ikonë.
Shpirti i tragjedisë, vetë tragjedia është një grua tjetër, Zanfina, bashkëshortja e gjeneralit të Skënderbeut, e Moisi Golemit, që tradhtoi dhe u kthye prapë, një përzierje e ambicjes shtetërore me qëndresën ndaj sindromave të tiranisë, misionar i detyrës dhe kundërdetyrës dhe detyrës prapë, etj. Po është Zanfina më në qëndër, që frymëzon dhe nxit, që guxon dhe flet. Kur burri i saj tradhton atdheun, ajo guxon dhe zgjedh të mbajë anën e burrit, është e tij, e betuar dhe kur burri kthehet i penduar, ajo e qortim që nuk e çoi deri në fund punën e nisur. Mbase e çon më tej Hamzai, nipi i Skënderbeut… Tragjedia është e gruas, ajo vret veten. Por dhe e kombit… aty është thelbi universal i vetes, i njeriut.
Tragjedia nuk e ka mbushur ende shekullin, që nga kur është shkruar, në 1935, kur autori ishte 33 vjeç, në moshën e Krishtit, në Gjirokastër, ku kishte lindur dhe bridhte antikrishti, djalli i kuq, që do të sundonte Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Me të mbaruar Lufta II Botërore, fitimtarët do ta burgosnin tragjedianin e parë, Etëhem Haxhiademin me akuzën se ishte nacionalist, me Ballin e Kombit, pra, skënderbejan. Mbi supe i vunë kryqin e rëndë të dënimit me vdekje. Ai nuk doli gjallë nga burgu…
7 tragjeditë e tij (aq ka dhe Eskili) u ndaluan. Emri i tij u mallkua. U braktis ajo fryma e tij në letrat shqipe, u fut urrejtja dhe përçarja.
Nëse do të ishin lënë, qoftë dhe vetëm vepra “Skënderbeu” e Haxhiademit të lexohej, të njihej nëpër shkolla, edhe At’ Fishta, edhe Konica, edhe Nënë Tereza, më ndryshe do të ishte edukata kombëtare, besoj, duke u rritur do të silleshim më mirë si popull me njeri-tjetrin, do të kuptonin absurdin e luftës së klasave, dhembshurinë, do ta dinim se cili ishte armiku, sundimtarët dhe shtetin, etj.
Tragjedi tjetër është tani dhe mosnjohja e tragjedive të tragjedianit të parë dhe të vetëm shqiptar, Etëhem Haxhiademit, lënia ende në “Burrelin e harresës”, moslejimi i asaj fryme njerëzore deri në shenjteri. Altaret e Kombit po duan t’i mbushin serish me urrejtjen që la trashëgim enveri, me antipsalmet e tij dhe për të, që i ndjejnë si poezi të djallit, në bibliotekë pëlqejnë librat me stalin, era e këtij dimri u nëpërmend mjekrrën e Marksit, kjo u duket epos. Asnjë fjalë për Haxhiademin, asnje falje, konvertim i frikshëm për të mbrojtur mashtrueshëm atë që ishin, socrealizmin e emrave…
Kur ktheva faqen e fundit të tragjedisë “Skënderbeu”, fjalëve të tij si amanet:
“Barbarit të tërbuëm sa të jem gjallë,
Do t’i vërsulem rreptësisht me pallë
Dhe gjak i im bregoret do t’i lajë,
Që t’rroj Shqipnija dhe flamur’ i sajë!”
U shtova këto dy vargje në stilin haxhiademjan:
Dhe i vdekur armiqtë do t’i luftoj
Dhe me vdekjen time Atdheu do të rrojë.
Chicago, Roselle, 17 janar 2023

Almanart

Informohu për eventet më të bukura tani!

Bëhu pjesë përmes butonit “Subscribe” në newsletter “Almanart”.