Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë ai i Tomorrit në filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1963. Më tej do të vazhdonin më se 30 role ndër më të spikaturat këtu mund të përmendim rolin e Dom Palit në filmin “Komisari i Dritës”, rolin e Kapter Rahmiut në filmin “Duel i heshtur” , rolin e Gjinit në filmin “Plagë të vjetra”, rolin e Pjetër Mustaqekuqit në filmin “Operazioni Zjarri”, rolin e Ndrios në filmin televiziv “ Udha e shkronjave” etj.
Të shumta kanë qenë Medaljet dhe Çmimet që ai ka marrë gjatë karrierës së tij. Kështu për rolin e Gani Herrit në filmin e “Rrugicat që kërkonin diell” ai do të vlerësohej me Çmimin e I-rë dhe me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 5 deri në 11 prill të vitit 1976 në Tiranë.
Për rolin e Mark Sokolit në filmin televiziv “Flaka e Maleve” ai do të vlerësohet me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 19 deri në datën 23 prill të vitit 1983 në Tiranë.
‘Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij.
